Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, ka numëruar rreth 99 përqind të fletëvotimeve nga 2 mijë e 336 vendvotime.
Siç raportojnë mediet në Kosovë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se numërimi i fletëvotimeve në vendvotime ka përfunduar të dielën në mbrëmje.
Sipas tij, kanë mbetur pa u proceduar vetëm 46 vendvotime, e të dhënat për to do të procedohen gjatë ditës.
“09:00 – Numërimi i fletëvotimeve në vendvotime ka përfunduar të dielën në mbrëmje. Deri më tani në ueb faqe janë transmetuar rezultatet nga 2336 vendvotime apo rreth 99%. Kanë mbetur pa u procesuar vetëm 46 vendvotime të dhënat e të cilave do të ngarkohen gjatë ditës.”– ka thënë ai.
Elezi është shprehur se pas disa ditësh do të numërohen gjithashtu edhe votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat me postë.
Sipas rezultateve të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin po prinë me 48, 17 % të votave. Pas saj është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17,35%. Kjo parti udhëhiqet nga Enver Hoxhaj që njëherazi ishte edhe kandidati për kryeministër në këto zgjedhje.
Ndërsa partia e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Deri më tani kjo parti e cila kishte kandidat për kryeministër Avdullah Hotin, ka 13, 18 % të votave. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) renditet e katërta, me 7,42% të votave dhe Nisma me vetëm 2,59%.