Kryeministri Edi Rama ndodhet në Rinas për të pritur 7 mijë dozat e dyta të vaksinës Pfizer së bashku me Ministrat Ahmetaj dhe Manastirliu.
Gjatë komunikimit të tij me gazetarët, Kryeministri Edi Rama kërkonte të bënte me dije se 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca janë premtuar nga një shtet mik.
Sipas tij shteti mik i kishte konfirmuar atij me shkrim dhënien e dozave të vaksinës.
“Fillimisht erdhën 1170 doza, sot 7020 doza dhe sipas skedulit të ri të dhënë nga kompania pas bllokimit në gjithë Evropën do vijojmë në javët në vijim për të përmbyllur brenda marsit të gjitha ato doza të premtuara e për të vazhduar në prill e maj.
E rëndësishme të shpjegohet për qytetarët që e presin me padurim vaksinën, është se ndërkohë jemi në komunikim për të arritur një komunikim me AstraZeneca, në disa drejtime përveçse me kompanitë edhe me shtete të tjera. Një shtet mik na konfirmoi me shkrim dhënien e 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca. Do të fillojnë të lëvrohen në muajin prill, por po e jap si informacion pa dashur të konfirmoj asgjë përderisa nuk kemi firmosur dhe vulosur marrëveshjen. Në një situatë si kjo që ndryshon çdo ditë mund të duket si propagandë e fushatë”-tha Kryeministri Rama.