Kryeministri Rama shkruan se sot do mbërrijnë në vend një sasi prej 7020 dozash të vaksinës kundër Covid-19 të kompanisë Pfizer.
Sipas kreut të qeverisë, është shumë pranë arritja e një marrëveshjeje me kompaninë AstraZeneca për të siguruar një sasi të konsiderueshme vaksinash.
Po kështu, kryeministri shkruan se nga dita e sotme do hapen edhe spitalet rajonale për përsonat që kanë nevojë të trajtohen për Covid-19.
“Sot nis me 7020 doza lëvrimi i përjavshëm i vaksinës antiCOVID nga kontrata me Pfizer dhe intensifikimi i planit të vaksinimit, ndërkohë që jemi shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme nga vaksina AstraZeneca. Aktivizohet sot skenari i parë i përfshirjes së spitaleve rajonale për përballimin e nevojës për shtrime në spital, ndërkohë që respektimi i masave kufizuese në fuqi mbetet domosdoshmëri deri në afatin e përcaktuar nga Komiteti Teknik.” – shkruan Rama.
Më tej kryeministri shënjestron opozitën jashtëparlamentare, duke shkruar se vaksinat nuk sigurohen në mbledhjet e partive simotra duke e quajtur reagimin e saj si politikë e futjakotësisë.
“Mbi 90 mijë teste të shpejta janë kryer në 54 pikat e testimit në komunitet përveç testit PCR, ndërkohë që vijon intensifikimi i përpjekjeve në terren për të këputur hallka të zinxhirit të infektimeve. Zotimet e atyre që thonë se vaksinat do i sigurojnë në mbledhjet e partive simotra apo që drejtojnë gishtin e akuzës ndaj qeverisë, ndërkohë që Shqipëria është një nga dy vendet e vetme në rajon që ka siguruar nisjen e vaksinimit, janë një arsye për ta neveritur politikën e futjakotësisë!” – mbyll reagimin Rama.