Edhe pse kryeministri Edi Rama ka patur herë pas here përplasje me kreun e Vetëvendosjes në Kosovë, Albin Kurtin, ai e ka uruar atë për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Përshëndetje të gjitha forcave politike në Kosovë dhe posaçërisht fituesve të qartë të zgjedhjeve, LVV, me urimin që vullneti i popullit të Kosovës të mishërohet në një kapitull të ri për Kosovën, me qeveri të qëndrueshme, dialog konstruktiv ndërpartiak, zhvillim ekonomik dhe social.”- shkruan Rama në një postim në ‘Twitter’.
Kujtojmë se Rama dhe Kurti kanë patur herë pas here përplasje me njëri-tjetrin. Një ndër konfliktet mes tyre ka qenë për çështjen e ‘Shengenit Ballkanik’.
Albin Kurti pa marrë një qëndrim të prerë mbi Shengenin Ballkanik gjithmonë ka pretenduar se Tirana nuk mund të marrë nisma me Beogradin pa u konsultuar më parë me Prishtinën. Ndërsa Rama, kur priti Vuçiçin në Tiranë e quajti Vetëvendosjen si “një organizatë neo marksiste që beson në mënyrë delirante se mund të vendosi masa proteksioniste njësoj si Kina, apo Rusia.”
Po ashtu në një emision televiziv në vitin 2019, Rama do të shprehej se kreu i Vetëvendosjes “kujton se do shpëtojë botën, vetëm se ka fituar zgjedhjet”.
“Nuk ka gjë më të gabuar se fitimtari ta kthejë veten në humbës. Nuk ka gjë më të keqe se të vetëizolohesh. Çështja e Kosovës dhe Serbisë nuk mund të zgjidhet me kërcitje dhëmbësh, nuk mund të zgjidhet me tarifa që janë mjete dhe jo qëllime.”– shprehej Rama.