Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, vijnë dhe reagimet nga kandidatët që humbën në këto zgjedhje në Kosovë.
Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka rezultuar fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë. Ndërsa janë numëruar 97.04% e votave, Vetëvendosje ka marrë 48% të tyre, ose 369.739 vota. Kjo është fitorja më e lartë e shënuar në Kosovë që pas Pavarësisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, ka mbajtur një konferencë pas numërimit të shumicës së votave, duke thënë se do marrë përgjegjësinë e plotë për rezultatin e LDK-së.
“Para jush, e marr përgjegjësinë e plotë për rezultatet. Në ditët në vijim do të diskutoj me organet e LDK-së për përgjegjësinë time në këto zgjedhje.”- ka deklaruar Hoti.
“Pres që KQZ-ja të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit.” –ka shtuar ai.
Megjithatë, kandidatin për kryeministër e ka mbrojtur kryetari i LDK’së, Isa Mustafën, duke thënë se ai ka bërë një punë të shkëlqyer përgjatë fushatës.
“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si Kryeministër por edhe gjatë fushatës. Çfardo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve.”- ka shkruar ai.
Hoti është shprehur se LDK-ja do të jetë një opozitë konstruktive.
“LDK-ja do të jetë opozitë konstruktive në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Qeveria në detyrë do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës”.- tha ai.
Lidhur me zgjedhjet ka folur edhe kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili ka thënë se Hoti ka bërë një punë të shkëlqyer gjatë fushatës.
“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si Kryeministër por edhe gjatë fushatës. Çfardo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve.”- ka shkruar Mustafa.
Partia Demokratike e Kosovës
Ndërkohë, kryetari PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Partia e tij, me rezultatet e numëruara deri më tani renditet e dyta.
“PDK nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje sepse kemi dallim të madh në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis mbi vlerat në të cilat është ndërtuar dhe qëndron PDK-ja.”– tha Hoxhaj.
Ai shtoi se PDK do të bëjë përpjekje maksimale që të sigurojë funksionim normal të parlamentit. “Do të jemi faktor i stabilitetit nga pozita e partisë më të madhe opozitare në vend.”- tha ai.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Fitoren LVV-së ua kanë uruar edhe nga AAK-ja. Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini është shprehur: “VV ka fituar në Gjakovë, i uroj qytetarët e komunës së Gjakovës për zgjedhjen që e kanë bërë. AAK i ka deri diku deri 10 mijë vota deri tani. Në komunë unë punën do ta vazhdoj ashtu si kam punuar deri më tani. Po duket se fitorja e VV-së është më thellë sesa kemi pritur – qytetarët vendosin sepse vota është e tyre.”– tha Gjini.
Ndërkohë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, kujtojmë se është treguar i gatshëm për koalicion: “Varet prej vullnetit të forcave politike që interesohen për një bashkëpunim. Për të krijuar dy të tretat nuk është një process i lehtë. Ne jemi të interesuar të arrijmë një bashkëpunim për të arritur dy të tretat, pra një shumicë për me mujt Kosova me pas institucione të qëndrueshme.”