Sot mbahet në Hagë konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kështu sot në orën 10:00 do të dalin para Gjykatës Speciale ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentaret Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe kreu i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.
Seanca ishte parashikuar të mbahej më 11 shkurt, por është shtyrë për sot.
Ndërkohë Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes një parashtrese drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake lidhur me konferencën e tretë, ka kërkuar sërish që fillimi i gjykimit të jetë në shtator të vitit 2021.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka theksuar se ka adoptuar në drejtim të zbulimit të provave, një mënyrë që do të lejojë që gjyqi të fillojë në shtator 2021.”- thuhet në pikën 19 të kësaj shkrese. Sipas tyre, koha e përcaktuar lejon për shumë muaj përgatitje të mbrojtjes dhe hetim paraprak për një çështje të përcaktuar qartë.
“Koha e përcaktuar u jep shumë muaj për përgatitje mbrojtjes për një çështje të përcaktuar qartë, ndërkohë që njeh interesat themelorë të viktimave dhe dëshmitarëve dhe të drejtësisë, në uljen e rreziqeve të ndërhyrjeve dhe frikësimeve të natyrshme në një gjykim të zgjatur.”- thuhet në shkresën e zyrës së prokurorit të specializuar drejtuar gjykatës.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.