Kina ka arrestuar kreun e një skeme mashtrimi lidhur me një vaksinë kundër Covid-19, që rezultoi të ishte vetëm ujë me kripë.
Personi i identifikuar si Kong, kishte hulumtuar modelet e paketimit të vaksinave të vërteta dhe kishte sajuar mbi 58 mijë doza të tijat.
Siç shkruan BBC, një grumbull i këtyre “vaksinave” janë kontrabanduar jashtë shtetit, por nuk dihet se ku janë dërguar.
Kongu është vetëm njëri midis 70 personave të dyshuar që janë arrestuar për krime të ngjashme.
Arrestimi i tij erdhi ndërsa Pekini u zotua të godiste vaksinat mashtruese.
Edhe pse shumica e rasteve u shfaqën në fund të vitit të kaluar, detaje të reja u publikuan këtë javë.
Sipas një vendimi të gjykatës, Kong dhe ekipi i tij fituan rreth 18 milion juan (apo 2.78 milion dollarë) duke vendosur tretësirë të kripur ose ujë mineral në shiringa dhe duke i shitur ato si vaksina anti-Covid, që nga gushti i vitit të kaluar.
Një grumbull prej 600 prej këtyre vaksinave u dërguan në Hong Kong nëntorin e kaluar, përpara se ato të transportoheshin jashtë vendit. Shitjet u bënë në bazë të vaksinave të marra përmes “kanaleve të brendshme” të prodhuesve të mirëfilltë.
Në raste të tjera, vaksinat e falsifikuara shiteshin me çmime të fryra në spitale. Kriminelë të tjerë kryen gjithashtu programe të tyre të vaksinimit dhe u kishin bërë “mjekëve të fshatit” vaksinimin e njerëzve me dozat e rreme në shtëpitë dhe makinat e tyre.
Organi më i lartë i ndjekjes penale të Kinës, Prokurori i Popullit Suprem ka nxitur agjensitë rajonale të bashkëpunojnë me policinë për të frenuar aktivitete të tilla.
Zyrtarët kishin shpresuar të administronin 100 milion doza të vaksinës kundër Covid-19 para Vitit të Ri Hënor javën e kaluar, por vetëm 40 milion njerëz janë vaksinuar deri më tani. Sidoqoftë, vendi ka arritur të vërë nën kontroll pandeminë me masa të rrepta bllokimi, testimi dhe gjurmimi.