Ministria e Financave njoftoi se hapi garën për të përzgjedhur kryetarin dhe tre anëtarët e Bordit të Mbikëqyrjes Publike, teksa mandati 4-vjeçar i qëndrimit në detyrë të bordit aktual përfundon më datë 24 mars 2021.
Ky është organi më i lartë vendimmarrës për mbikëqyrjen publike të audituesve ligjorë dhe të shoqërive të auditimit, organizatave profesionale të audituesve ligjorë, si dhe organizatave profesionale të kontabilistëve të miratuar.
Afati i paraqitjes së shprehjes së interesit, shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm për të gjithë kandidatët e interesuar do të jetë deri më 2 mars 2021. Kërkesa për aplikim dhe dokumentet shoqëruese mund të dorëzohet me postë ose drejtpërsëdrejti në zyrën e protokollit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Në urdhrin e Ministrisë të Financave, të botuar në Fletoren Zyrtare përcaktohet se për dokumentet e përfituara jashtë vendit, duhet të jenë të legalizuara, sipas legjislacionit në fuqi.
Dokumentacioni i dorëzuar nga kandidatët do të shqyrtohet nga një komision ‘ad hoc’ i ngritur me urdhër të Ministres të Financave, Anila Denaj si dhe do të hartojë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore.
Pas administrimit të dokumentacionit, komisioni Ad Hoc, brenda 10 ditëve nga data e mbylljes së afatit të aplikimit do të shqyrtojë dokumentacionin dhe do të hartojë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret dhe e paraqet për miratim te ministri i Financave dhe Ekonomisë. Sakaq kandidatët e listës, që plotësojnë kriteret ligjore duhet të dorëzojnë edhe “formularin e vetëdeklarimit”.
Dokumentet dhe kriteret që duhet të plotësohen
-Kandidatët, që aplikojnë për kryetar dhe anëtarë të bordit, dorëzojnë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dokumentacionin, si: a) kërkesën me shkrim; b) kopje të pasaportës ose të kartës së identitetit (ID); c) Curriculum vitae; ç) dy vlerësimet e fundit vjetore, në rast se kandidati vjen nga institucionet publike; d) kopje të noterizuar të librezës së punës; dh) kopje të noterizuar të diplomës/diplomave; e) vetëdeklarim mbi konfliktin e interesit, sipas përcaktimeve të pikës 4/d sa më sipër; ë) kopje të noterizuara të dëshmive e të certifikatave të trajnimeve e të kualifikimeve pasuniversitare; f) dëshminë e penalitetit.
Kandidatët për kryetar dhe anëtarë të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, duhet të plotësojnë këto kritere: a) të kenë shtetësi shqiptare; b) të kenë integritet moral dhe profesional; c) të mos jenë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë; ç) të zotërojnë, të paktën, diplomë “Master i shkencave” apo të barasvlershëm me të, sipas legjislacionit të arsimit të lartë dhe 10 vjet përvojë ose një gradë apo titull shkencor dhe 7 vjet përvojë pune në çështjet e auditimit ligjor dhe të kontabilitetit; d) të mos kenë lidhje të afërta, deri në shkallë të dytë, me personat në organet e zgjedhura të organizatës profesionale të audituesve ligjorë.
-Kandidati që përzgjidhet nga institucionet publike të arsimit të lartë të licencuara dhe të akredituara, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, duhet të plotësojë kriteret e parashikuara në pikën 4, të nenit 4, të ligjit, dhe të jetë pjesë e stafit të përhershëm të institucionit publik të arsimit të lartë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor