Dhjetëra qytetarë përballen çdo ditë me radhë të gjata në dyert e Poliklinikës së Fierit.
Ata kanë denoncuar pritjen e gjatë teksa temperaturat e ulëta ua vështirësojnë edhe më shumë pritjen.
Në deklaratat e tyre ata thonë se nuk kanë mundësi të shkojnë te spitalet e klinikat private.
Teksa kanë kërkuar shpjegime për radhët e gjata, atyre u është thënë se në funksion është vetëm një kompjuter.
“Unë kam nja 3 orë këtu, kam ardhur që në orën 06:30 këtu. Unë jam nga Fieri, por ka dhe nga Mallakastra që kanë një javë që vijnë këtu. Shikoni si është radha sot, kjo gjendje është e përditshme. Këta e shtrëngojnë këtu për të shkuar te privati më poshtë për të bërë ekon. Se vetë i kanë këta. Këtu e bën pa lekë atje paguan 25 mijë lekë për një eko. Unë e kam për herë të parë që pres këtu, por kam pasur njerëzit e mi që kanë ardhur një javë rresht.” – denoncon një qytetar.
Një tjetër qytetar thotë se në poliklinikë punon vetëm një kompjuter dhe për këtë arsye nga katër mjeke punon vetëm njëra.
“Situata ka dalë jashtë kontrollit, shikoni c’bëhet këtu. Kam lënë fëmijët në gjumë dhe kam ardhur këtu. Njerëzit nuk po respektojnë 1 metër e gjysmë largësi se i bie të ikin të dalin në rrugë. Vetëm një kompjuter punon, 4 doktoresha punon një kompjuter, 3 të tjerat pijnë kafe njëra punon. Kjo është shëndetësia?! Kjo është shumë situatë shqetësuese se ikim tani me frikë në shtëpi, dezifektohemi e lahemi sa ikim në shtëpi. Kjo është një situatë shumë e rrezikshme se mund të ketë dhe të prekur me Covid.” – thotë ai.