QSUT-ja ka dalë me një reagim zyrtar pas akuzave të vajzave të një personi i cili ndërroi jetë në spitalin Infektiv, për shkak të Covid-19.
Sipas QSUT-së, personi me iniciale R.L., është pranuar në spital ditën e djeshme në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka marrë menjëherë shërbimin e nevojshëm sipas protokolleve të përcaktuara.
“Në vijim të një interviste të dhënë sot nga vajzat e qytetarit R.L., duke respektuar dhimbjen dhe rolin që ajo luan në gjykimin e tyre, dëshiron të sqarojë opinionin publik si vijon:
Pacienti me inicialet R.L,79 vjec, ka mbërritur me urgjencë pranë Spitalit Covid 1, ora 16:30 të datës 15 Shkurt 2021, në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, në kushtet e Insuficiencës së rëndë respiratore (me saturime 70% nën oksigjenoterapi 20L). Menjëherë është pranuar në urgjencën e Spitalit Covid 1 dhe ka marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor, sipas protokolleve.” – thuhet në reagimin e QSUT-së.
Më tej në reagimin e spitalit thuhet se pacientit në fjalë i është bërë skaneri e më pas u është shpjeguar familjarëve se gjendja e tij ishte tejet e rëndë.
Po kështu, spitali pretendon se familjarët kanë pasur presion e komunikim të acaruar mes familjarëve të viktimës e mjekes roje, Migena Qato duke i vështirësuar detyrën kësaj të fundit edhe për shërbimet ndaj pacientëve të tjerë të shtrua në spital.
“I është bërë skaneri në orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik. Gjendja e pacientit ka vazhduar të jetë e rënduar, ndërkohë që ka qenë gjatë gjithë kohës në oksigjenoterapi (sipas rekomandimeve edhe te mjekeve reanimatore).
Ndërkohë, mjekja e rojës është gjendur vazhdimisht nën presionin dhe ndërhyrjet e familjarëve, të cilët kanë patur madje dhe një komunikim të acaruar mes tyre, në ambjentet e jashtme të spitalit, mbi vendimin për ta mbajtur apo për ta nxjerrë pacientin nga spitali dhe për ta dërguar në një shtet tjetër Europian për trajtim. Duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese Dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në Spitalin Covid 1, ku mjekja shërbente.” – thuhet në reagimin e spitalit.
Në fund të reagimit zyrtar thuhet se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet por ai nuk ia ka dalë dot mbanë të mbijetojë për shkak të gjendjes së rënduar të mushkërive në çastin e mbërritjes në spital.
Po kështu QSUT-ja thotë se hedh poshtë akuzat për mungesë shërbimi dhe është e gatshme të ofrojë informacionin e provat e nevojshme që vërtetojnë të kundërtën.
“Në vijim komunikimi me dy motrat ka vazhduar edhe nga Shefja e Shërbimit Prof. Najada Çomo.
Sigurojmë dhe një herë familjaret dhe qytetarët se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjëndjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital. QSUT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën.
Lusim mediat që të inkurajojnë qytetarët të paraqiten në kohë pranë shërbimeve shëndetësore për të marrë shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, pasi çdo vonesë sjell pasoja në shëndetin e tyre.
Gjithashtu garantojmë që stafi ynë mjeksor do bëjë të pamundurën, ashtu siç ka vepruar për gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie me një përkushtim të jashtzakonshëm!” – mbyllet reagimi i QSUT-së.