Ndërron jetë një person te Infektivi, vajzat akuza spitalit: E lanë na karrige në të ftohtë, babai na tha jepni lekë e më nxirrni
Vajzat e vëllait të ish-deputetit të PD-së, Vili Minarolli, kanë akuzuar spitalin Infektiv pas vdekjes së babait të tyre nga Covid-19.
Në një denoncim për mediat, ato kanë thënë se babai i tyre nuk kishte marrë asnjë trajtim në këtë spital dhe se i kishin lënë në të ftohtë.
Po kështu, në denoncimin e saj vajza e Rifat Lalos shton se atë nuk e kishte prekur njeri më dorë në spital edhe pse atyre u kishin thënë se po i bënin skaner.
Vajzat theksojnë se babai i tyre u ka thënë që të paguajnë para për ta nxjerrë nga spitali pasi nuk po i jepnin asnjë shërbim.
“Na thanë që vetëm këtu kishte oksigjen, na thanë që nuk kishte vende të lira në spitale, vendosëm që ta sillnim këtu. Babai na merrte çdo çerek ore dhe na thoshte se nuk i bënin asgjë, e kishin lënë afër derës dhe kishte ftohtë.
Doktoresha Migena Qato nuk kishte një etikë mjekësore, ajo thoshte që po i bëjmë skaner, dhe babai thoshte nuk i bënin asgjë. Babai thoshte që të dilnin, ne komunikuam dhe me mjekë në Bruksel dhe thoshin që nuk është gjendja aq e rëndë sa e thonë ata aty.
Ishim me mëdyshje nëse duhet ta nxirnim apo jo nga spitali, kërkuam që ta çonim në një spital tjetër. Babai thoshte jepni pare dhe më nxirrni nga këtu. Nuk kam për t’ia falur kurrë vetes këtë, që e shtruam babanë këtu. Kurrë më asnjë të afërm në publik, e vërtetuam këtë mbrëmë, me ikjen e babait tonë.
Na tha se e kishin lënë në një karrige, nuk e prekte njeri me dorë, babai ynë ishte intelektual. Kemi shumë pikëpyetje, babai ynë ka ikur me brengë në zemër, na iku tak fak.
Ne kemi burim nga brenda që nuk i është bërë skaner, ju lutem mos sillni prindërit këtu, të afërmit, e kemi të provuar që nuk i është bërë asgjë.” – thotë në denoncimin e saj vajza e vëllait të ish-deputetit demokrat Minarolli.