Kryeministri Edi Rama ka komentuar dy denoncimet e djeshme lidhur me Spitalin Covid 1. Bëhet fjalë për denoncimin e djeshëm të dy motrave që kishin humbur babanë e tyre në Spitalin Infektiv, si dhe atë të një vajze tjetër e cila thoshte se të atit i kishin marrë unazën dhe portofolin.
Lidhur me këtë të fundit, Rama tha se vajza nuk ishte paraqitur me kartë identiteti që mjekët t’i jepnin sendet e të atit, ndërsa për rastin e dy vajzave që humbën babanë tha se në deklaratën e tyre “dhimbjeje dhe partie” nuk kishte asnjë gjë të vërtetë, por e konsideron si denoncim partie.
Ai e përmend fjalën “parti”, pasi dy vajzat janë mbesa të ish-deputetit të PD-së, Vili Minarolli.
“Po flasim për dy raste të ndryshme. Zonja nuk kishte kartën e identitetit me vete, njerëzve iu dha informacion gjysmak si ato dy zonjat që qanë për humbjen e babait te spitali. QSUT e tha se çfarë kishte ndodhur se nuk kishte asnjë të vërtetë në atë deklaratë dhimbje dhe partie. Rastet e abuzuesve dhe batakcinje si rasti që vuri prapa hekurave 4 bluza të bardha që mos qofshin fare. Këto njollosin bluzat e bardha. Të gozhdohen nga balta. Me respekt për njerëzit që kanë dhimbje, mos i ndodhtë kujt. I kuptoj se nga dhimbja çdo gjë ia faturojnë mjekëve.”– tha Rama.
Ditën e djeshme dy motrat, thanë se babai i tyre babait të tyre, Rifat Lalo, nuk iu dha shërbim në spitalin Infektiv, dhe se ai kishte qëndruar në karrige për disa orë pa marrë asnjë ndihmë ndërsa më vonë kishte ndërruar jetë.