Vendosni fjalën kyçe....

Meta i prerë: Rama nuk ka asnjë autorizim nga Presidenti për të negociuar çështjen e detit me Greqinë


Presidenti Meta ka theksuar sot se kryeministri Rama nuk është këshilluar me të dhe as ka ndonjë autorizim për të negociuar për çështjen e detit me Greqinë.

Deklarata e kreut të shtetit vjen pas një takimi të këtij të fundit me një grup aktivistësh të shoqërisë civile e anëtarë të botës akademike.

Presidenti e mbyll reagimin e tij në Facebook duke thënë se do vijojë të mbrojë interesat e vendit e Kushtetutën e Shqipërisë nga cilido që kërkon të keqpërdorë autoritetin e deleguar të popullit.

“Prita në një takim me kërkesë të tyre, aktivistë të shoqërisë civile dhe anëtarë të botës akademike, të angazhuar pranë Akademisë “Rrënjët tona”, të cilët më shprehën shqetësimet lidhur me çështjen e negociatave me Greqinë, për delimitimin e zonave detare midis dy vendeve tona.

I informova se Kryeministri në detyrë, Edi Rama, nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare.

I siguroj të gjithë qytetarët shqiptarë, se do të vijoj të ushtroj detyrat e mia me përgjegjësinë maksimale shtetërore e kushtetuese dhe se nuk do të pranoj për asnjë çast të cenohen interesat shtetërore dhe kombëtare të Republikës së Shqipërisë nga cilido individ, që keqpërdor autoritetin e deleguar nga populli shqiptar.”­ – shkruan Meta në Facebook.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *