Vendosni fjalën kyçe....

Nasip Naço: Kryesia e LSI-së u kthye si në kohën e Enverit, goditi ata që nuk i pëlqenin Kryemadhit


Nasip Naço ka folur për herë të parë në një intervistë televizive për arsyet e tij për largimin nga Lëvizja Socialiste për Integrim, për të iu bashkuar Partisë Socialiste.

Ai tregoi në një intervistë për Roland Qafokun në emisionin “Dekalog” se kur filloi të mendonte për largimin. Ai flet për një shkëputje të tij me lidershipin e LSI-së (Monika Kryemadhin) dhe krijimin e një marrëdhënieje të ngurtë mes tyre pasi Ilir Meta u largua për të marrë drejtimin e Presidencës.

Ai flet për një Kryesi që ishte kthyer sipas tij si Sekretariati në kohën e Enver Hoxhës.

 “Në 2017 brenda LSI-së u krijua një marrëdhënie disi e ngurtë pas largimit të Ilir Metës. U ndryshua statuti. Në LSI është krijuar një kryesi ekzekutive që në një farë mënyre sfumoi kryesinë e madhe. Të gjitha vendimet i merrte një grup prej tre katër vetash. Nuk përfaqësonin ndonjë gjë të madhe në elektorat. Kjo kryesi ekzekutive ishte njësoj si ajo në kohën e Enverit, si sekretariati.“– thotë Naço për Kryesinë e LSI-së.

Ai shprehet se për shumë vendime të partisë me të cilat nuk ishte dakord, nuk ka reaguar për të mos prishur marrëdhëniet.

 “Për shumë vendime që janë marrë në emër të LSI-së disa herë kemi reaguar dhe disa herë jo për të mos prishur marrëdhaniet, sepse kur kjo kryesi merrte vendim ishte vendim politik dhe ne duhet të ishim pjesë e tyre. Ju i keni ndjekur deklaratat e lidershipit të LSI-së që thoshin se këta janë të Ilir Metës që i ka caktuar ai. Dua stafin tim. Ne nuk jemi ndjerë aq komodë. Për hir të vërtetës, pas dorëzimit të mandatit mua më është kërkuar të punoja në Durrës.”– tha Naço.

Kjo marrëdhënie e ngurtë mes tij dhe drejtuesve të LSI-së, çoi edhe në largimin e tij nga LSI-ja apo përjashtimin e tij në mënyrë “të pabesë” siç e quan ai.

Naço thotë se atë e larguan në mënyrë tinëzare dhe të pabesë vetëm për të bërë një eksperiment politik. Sipas Naços, kryesia e LSI-së goditi “më të mirët” për t’u bërë presion të tjerëve.

 “Nuk kam marrë asnjë vendim vetë, sepse ju e dini që unë doja t’i rikthehesha profesionit tim të avokatit. Kjo ishte një marrëdhënie e ndërprerë nga lidershipi i LSI-së pa asnjë lloj kontakti. Ishte në mënyrë tinzare dhe të pabesë. Po të më thoshin, kisha ikur. Më pas një pjesë pabesë e mirë e strukturave të LSI-së më kanë kërkuar t’i kontaktoja dhe t’i përfaqësoja dhe nuk janë pak. Po t’i shikoni kandidatët asnjë nga kandiatët e LSI që ishin në zgjedhjet e vitit 2017 nuk janë aktualisht kandidatë në qarkun e Beratit dhe nuk janë fare në agjendën e lidershipit të LSI-së dhe kjo për mendimin tim është një eksperiment politik që duan të bëjnë me qarkun e Beratit, për t’u thënë disa të tjerëve që kur ne hoqëm këta që ishin më të mirët, ç’mund të bëjmë me ju.”– deklaroi Naço.

Kujtojmë se Naço ka qenë deputet si dhe ministër nën siglën e LSI-së. Në vitet 2008-2009, ai ka qenë Sekretar Politik i LSI-së, për Qarkun e Beratit.

Më pas është zgjedhur deputet dhe zëvendëskryetar i Kuvendit, ndërsa ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në vitet 2011- 2012.

Ai u emërua gjithashtu ministër i Drejtësisë në vitin 2013 dhe qëndroi në këtë post deri në vitin 2015./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *