Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në Facebook, përmes të cilit kujton nisjen e procesit të vaksinimit të të moshuarve në Shkodër.
Rama premton se të gjithë qytetarët shqiptarë do të vaksinohen kundër Covid-19, jo më vonë se sa vendet e tjera në Europë e në rajon.
Ai bën një krahasim dhe me tërmetin e 26 nëntorit të 2019-ës, duke thënë se të nesërmen e tërmetit askush s’e besonte që “do t’ia dilnim rimëkëmbjes”, por sot sipas tij beteja e rindërtimit po fitohet hap pas hapi.
“Mos e harroni që të nesërmen e tërmetit askush s’e besonte që do t’ia dilnim rimëkëmbjes së atyre mijëra e mijëra familjeve të mbetura pa strehë – por ne po e fitojmë hap pas hapi betejën e Rindërtimit, për të gjitha ato familje dhe për Tiranën, Durrësin, Kurbinin, Krujën, Vorën, Kamzën, Lezhën, Mirditën, Kavajën, Rrogozhinën e krejt Shqipërinë.
Po njësoj do t’ia dalim vaksinimit të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, hap pas hapi, duke e kapërcyer malin e vështirësive, siguruar të gjitha dozat e nevojshme dhe vaksinuar krejt popullin aspak më vonë se sa vendet e tjera, në Europë e në rajon po se po.”– shkruan Rama ndërsa ndan dhe disa foto nga vizita e djeshme në Shkodër për nisjen e procesit të vaksinimit atje.