Vendosni fjalën kyçe....

Akuzuan mjeken e Infektivit se s’i dha shërbim babait që ndërroi jetë, nis hetimi ndaj dy motrave


Policia ka nisur hetim ndaj dy motrave që akuzuan mjeken e QSUT-së dhe personelin e spitalit Infektiv lidhur me vdekjen e babait të tyre dy ditë më parë.

Pasi babai i tyre ndërroi jetë lidhur me Covid-19, dy motrat në një deklaratë për mediat nga QSUT-ja thanë se babai i tyre nuk kishte marrë shërbim, se nuk i ishte bërë skaner, se ishte lënë në karrige në të ftohtë.

Ato u bënë thirrje qytetarëve që të mos i shtronin familjarët e tyre në spitalin publik nëse sëmuren.

Akuzave të motrave Lalo iu përgjigj QSUT-ja me një reagi zyrtar duke thënë se pacientit i ishin ofruar të gjitha shërbimet edhe pse ishte parqitur në spital në gjendje tejet të rëndë.

Po kështu në deklaratën e spitalit thuhet se motrave mund t’u vihen në dispozicion të gjitha provat që vërtetojnë të kundërtën e akuzave të tyre.

“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 filluan procedimin penal ndaj shtetaseve E. L. dhe I. L., sepse nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M. Q., me detyrë mjeke. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.” – thuhet në njoftimin e policisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *