Vendosni fjalën kyçe....

Basha në Zagreb me kryeministrin e Kroacisë: Për mua s’ka asgjë më të rëndësishme se Integrimi, 8 vjet në vendnumëro


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është takuar në Zagreb me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Gjatë bisedës, kryedemokrati i njohu drejtuesit e qeverisë kroate me planin e tij për integrimin si dhe angazhimin e tij nesër në qeveri për të bërë gjithçka për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e BE, proces i cili sipas tij ka ngelur në vendnumëro këto 8 vite.

Në një dalje për mediet pas këtij takimi, Basha tha se i ka garantuar Plenkoviçit angazhimin europian të qeverisë së tij që beson se do të drejtojë pas 25 prillit.

 “Dua ta falënderoj kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç për pritjen miqësore që më rezervoi së bashku me ministrin e Jashtëm dhe të Brendshëm të qeverisë së Republikës së Kroacisë.

Për mua dhe për Partinë Demokratike, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa përshpejtimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë pas ngecjes në vendnumëro gjatë 8 viteve të këtij procesi.

Për këtë arsye ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve. Kjo ka qenë në qendër të bisedës që kam zhvilluar me mikun tim, kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

Ashtu siç bashkëpunuar gjatë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ashtu do të bashkëpunojmë ngushtësisht edhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Në këtë kuadër, përvoja dhe ndihma e Kroacisë që është dhe vend anëtar i BE, është shumë e vyer për ne.

Jam i lumtur të ndaj me ju angazhimin e kryeministrit Plenkoviç për të na ndihmuar në këtë proces qoftë me mbështetje politike në tryezën vendimmarrëse të BE, siç bëri gjatë Presidencës kroate, kështu edhe në nivelin teknik që të jemi sa më të përgatitur e të ecim sa më shpejt në këtë proces.

E njoha kryeministrin Plenkoviç me platformën tonë të integrimit dhe me vullnetin dhe vendosmërinë tonë për të bërë të gjitha detyrat që do të çojnë në nisjen e bisedimeve me Bashkimin Europian dhe thithjen e fondeve për vendet aspirante, përmes të cilave ne do të zhvillojmë dhe modernizojmë ekonominë e vendit dhe do ju vijmë në ndihmë veçanërisht të rinjve, biznesit të vigël e të mesëm dhe fermerëve shqiptarë.

Unë jam i bindur se do të ja dalim siç bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, siç liberalizuam vizat, hoqëm vizat për shqiptarët, do të bëjmë realitet edhe Shqipërinë europiane me ndihmën e BE dhe vendeve anëtare duke përfshirë këtu Kroacinë mike dhe aleate.

Së fundmi, Kroacia ka një eksperiencë shumë të mirë edhe në fushën e turizmit, një prioritet i qeverisë time nesër, dhe për këtë ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht për të marrë modelet më të mira të zhvillimit që do të sjellin rritje ekonomike dhe punësim për qytetarët tanë.” – u shpreh Basha.

Përveç kryeministrit kroat, Basha u takua dhe me ministrin e Punëve të Jashtme Goran Grliç Radman si dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kroacisë, Davor Bozinoviç.

Nga ana e tij, kryeministri Plenkoviç garantoi se Kroacia do jetë mbështetje e madhe në këtë proces.

“Ne do të bëjmë gjithçka për ta bërë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve”- tha Plenkoviç.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *