Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i LSI-së: Një i dënuar po rivlerëson banesat e dëmtuara nga tërmeti në Vorë, SPAK-u të hetojë


Koordinatori i LSI-së në Vorë, Vojo Bregu, ka denoncuar një rast të emërimit të paligjshëm të një zyrtari në këtë bashki, që sipas tij rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë.

E përveçse ka një rol si këshilltar i kryebashkiakut të Vorës Gentian Picari, ky person që rezulton i dënuar, i quajtur Durim Ibrahimi, ka edhe një tjetër detyrë që i lejon të bëjë rivlerësimin e banesave të dëmtuara në bashkinë e Vorës.

Këtu është dhe vendimi penal për shtetasin Durim Ibrahimi, vendim i cili ka marrë formë të prerë. Personi në fjalë, përveç rolit të këshilltarit është caktuar nga kryetari i bashkisë së Vorës Gentian Picari dhe si anëtar i Komisionit të Rivlerësimit të dëmeve nga tërmeti.

Këtu kemi dhe dokumentin i cili tregon që shtetasi Durim Ibrahimi është anëtar i Komisionit të Rivlerësimit të dëmeve nga tërmeti. Ky dokument tregon se shtetasi Durim Ibrahimi, një person me precedent penal, jo vetëm shkel ligjin duke marrë një funksion publik por ka edhe kompetencën të vlerësojë dhe rivlerësojë dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.”– thotë Bregu.

Madje Vojo Bregu thotë se Ibrahimi ka rivlerësuar banesën e xhaxhait të kryebashkiakut Picari, duke e kaluar atë nga niveli i dëmeve DS1 në DS5.

Ai i bën thirrje SPAK-ut që të nis hetimet për këtë skandal.

DEKLARATA E PLOTË

Përshëndetje! Jemi këtu sot për të denoncuar skandalin e radhës në bashkinë e Vorës. Mesa duket Rilindjes nuk i ndahet shpirti nga personat me ndëshkime kriminale në të gjithë Shqipërinë dhe në zonën e Vorës në veçanti.

Rasti që po paraqesim bën fjalë për emërimin antiligjor të radhës, kryer nga kryetari i pazgjedhur i bashkisë së Vorës Gentian Picari.

Para disa ditësh ne kemi denoncuar publikisht ndryshimin dhe shtimin e punonjësve në strukturën e bashkisë së Vorës.

Ky ndryshim ka pasur si synim punësimin e militantëve të Rilindjes si dhe të njerëzve me precedent të theksuar penal.

Më konkretisht, shtetasi Durim Ibrahimi i emëruar pas këtyre ndryshimeve të përmendura më lart, në postin e këshilltarit të kryetarit të bashkisë Vorë, rezulton person i dënuar me vendimin penal të formës së prerë, NR.24/46, datë 21.09.2017 për veprën penale të prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.

Këtu është dhe vendimi penal për shtetasin Durim Ibrahimi, vendim i cili ka marrë formë të prerë. Personi në fjalë, përveç rolit të këshilltarit është caktuar nga kryetari i bashkisë së Vorës Gentian Picari dhe si anëtar i Komisionit të Rivlerësimit të dëmeve nga tërmeti.

Këtu kemi dhe dokumentin i cili tregon që shtetasi Durim Ibrahimi është anëtar i Komisionit të Rivlerësimit të dëmeve nga tërmeti.

Ky dokument tregon se shtetasi Durim Ibrahimi, një person me precedent penal, jo vetëm shkel ligjin duke marrë një funksion publik por ka edhe kompetencën të vlerësojë dhe rivlerësojë dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Shtetasi Durim Ibrahimi, pikësëpari ka menduar t’i kthejë nderin kryetarit të bashkisë që e ka emëruar në kundërshtim me ligjin.

Pikërisht në ushtrimin e detyrës për rivlerësimin e dëmeve, punën e ka nisur me banesën e xhaxhait të kryetarit të bashkisë zotit Sherif Picari.

Në vlerësimin e parë, banesa e shtetasit Sherif Piicari, është vlerësuar në nivelin e dëmtimeve DS1. Sipas këtij niveli, bazuar dhe në VKM-në përkatëse, zoti Picari do të merrte maksimuni 1 milionë lekë të vjetra, por pas rivlerësimit të bërë nga shtetasi Durim Ibrahimi, banesa e shtetasit Sherif Picari çuditërisht ka kaluar në nivelin e dëmtimeve DS5.

Ky kapërcim i paligjshëm i jep mundësinë zotit Sherif Picari që nga 1 milionë lekë të vjetra, minimalisht të përfitojë minimalisht 24 milionë ose maksimalisht 34 milionë lekë të vjetra. Kjo bazuar në sipërfaqen e banesës, gjithmonë sipas VKM-së përkatëse.

I bëjmë thirrje SPAK-ut që të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast të faktuar, pasi ky nuk është rasti i vetëm në bashkinë e Vorës.

Ne kemi denoncuar dhe ju sigurojmë që do vijojmë të denoncojmë çdo rast abuzimi, në mënyrë që çdo qytetar të dëmshpërblehet në vlerat reale të dëmeve që ka pësuar dhe jo sipas lidhjeve fisnore me kryetarin e bashkisë.

Ndaj më 24 prill, qytetarët e Vorës dhe të gjithë Shqipërisë duhet të votojnë për të larguar nga karriget e pushtetit këtë bandë kriminale që i diferencon qytetarët sipas teserës dhe lidhjeve farefisnore. Të gjithë shqiptarët janë të barabartë para ligjit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *