Vendosni fjalën kyçe....

Mjeku Edvin Prifti apelon vendimin: Më hiqni masën e arrestit


Mjeku Edvin Prifti, i cili u arrestua pak ditë më parë në sallën e gjyqit, pas akuzave për shumën e parave që iu gjet në banesë, ka apeluar vendimin për masën e sigurisë.

Në kërkesën e tij ndaj Apelit, Prifti pretendon se pasuria e tij është e ligjshme dhe se paratë që policia ka gjetur në shtëpinë e tij janë të bashkëshortes.

 “Prifti kërkon shfuqizimin e vendimit për shkak të paligjshmërisë së procedurës dhe për mungesë të provave që e bëjnë të arsyeshëm dyshimin se zoti Edvin Prifti ka kryer veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale.”- thuhet në kërkesën e Priftit, sipas Balkanweb.

Më tej, në apelim thuhet se “Ritheksojmë se një pjesë e të hollave (56.850 USD dhe 3.395.000 lekë) nuk u gjetën në zyrën e tij, por pas kontrollit vetjak, në çantën e tij të lap-topit, i cili në thelb është një akt i paligjshëm, sepse gjykata nuk kishte disponuar me vendim për kontrollin e tij personal”.

Emri i mjekut Edvin Prifti doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, ndaj gjyqtares Enkeleida Hoxha dhe disa zyrtarëve të tjerë të drejtësisë dhe shëndetësisë.

Mjeku Prifti akuzohet se mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t’i operuar nënën. Sekretarja Mallakuçi ishte një ndër personat që ka qenë nën përgjim pasi dyshohet se ishte përfshirë në përpjekjet për lirimin e të dënuarit Saimir Petani.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *