Fitorja e Albin Kurtit në zgjedhjet e Kosovës nuk është ndonjë befasi në Beograd, por paralajmërim se për Serbinë po vijnë kohë më të vështira sa i përket dialogut.
Imazhi i Kurtit si negociator i ashpër për Serbinë është theksuar shpesh në analizat e publikuara në Serbi. Mund të thuhet se udhëheqësi i “Vetëvendosjes” e bëri të qartë këtë me deklaratën e tij se dialogu me Beogradin është në vendin e pestë ose të gjashtë për nga rëndësia. Me këtë ai synon të justifikojë imazhin e tij edhe në kryeqytetin serb.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, thotë se deklaratat e Albin Kurtit që dialogu me Beogradin nuk është prioritet, nuk janë të habitshme, por janë “për keqardhje”.
“Kjo tregon mungesën e seriozitetit të elitave politike në Prishtinë. Unë besoj se dialogu është mënyra e vetme për të rënë dakord mbi normalizimin e marrëdhënieve midis të dy palëve, për përparim dhe stabilitet. Në fund të fundit, Prishtina nuk ka një perspektivë të veçantë pa dialog, sepse më shumë se gjysma e vendeve në botë nuk e kanë njohur të ashtuquajturën Kosovë e pavarur”, thotë kryeministrja e Serbisë.
Ana Brnabiq foli edhe për deklaratën e Kurtit se nevojitet një pjesëmarrje më e madhe e SHBA në dialog, duke theksuar se “Kurti ishte i pari kundër Marrëveshjes së Uashingtonit dhe se Serbia nuk i ndryshon deklaratat e saj çdo ditë”.
Zëvendëskryeministrja Zorana Mihajloviq tha se udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tmerrësisht gabon nëse mendon se mund t’i japë leksione Serbisë se çfarë lloj politike, veçanërisht të jashtme, duhet të ndjekë ajo. Kjo nuk është rruga për arritjen e ndonjë rezultati në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”.
Autoritetet serbe komentuan edhe suksesin e Listës Serbe, e cila fitoi të dhjetë vendet e rezervuara për përfaqësuesit serbë, me pothuajse 100 përqind të votave. Drejtori i Zyrës serbe për Kosovë e Metohi, Petar Petkoviq tha se populli serb atje ka votuar “në përputhje me ftesën e vendit të tij dhe presidentit Aleksandar Vuçiq dhe gati unanimisht e mbështeti Listën Serbe”.
“Uniteti serb fitoi edhe një herë, megjithë fshirjen e votuesve nga listat e votimit, zvogëlimit të numrit të vendvotimeve dhe provokimeve politike, në veçanti atyre të Ramush Haradinajt dhe Albin Kurtit.” – tha Petkoviq.
Dialogu duhet të sjellë rezultat
Duke komentuar fitoren tjetër zgjedhore të Albin Kurtit, pas largimit të mëparshëm nga pushteti, Jovica Pavloviq, nga Instituti për Studime Evropiane, i tha DW-së, “se ishte një veprim strategjik për të arritur një fitore të tillë, ku ai pothuajse mund të marrë pushtetin vetëm.”
“Kurti e ka paraqitur dorëheqjen e tij si vullnetare, duke theksuar se ai do t’u mbetet besnik qëndrimeve të tij dhe nuk do të pranojë kompromise, veçanërisht ato që lidhen me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.” – tha Pavloviq.
Sa i përket Beogradit, “ai sigurisht që ka një bashkëbisedues më të fortë, ose më të vendosur, me Kurtin, në dialogun që do të vijojë”. Dialogu me siguri që do të vazhdojë edhe pse Kurti deklaron nuk e thotë se ai është prioritet. Kurti është i vetëdijshëm se do të detyrohet të ulet në tryezën e negociatave.
Beogradi do të ketë përballë një lojtar që nuk e ka pasur deri më tani nga pala tjetër, e kjo kërkon ndryshime në strategjinë e dialogut. Kjo do të thotë se nuk do të ketë më hedhje të topit nga njëra anë në tjetrën, por duhet të arrihet ndonjë marrëveshje konkrete”, beson Jovica Pavloviq.
Mesazhet e mëparshme
A do ta marrë Albin Kurti përsëri pushtetin në Kosovë për një kohë të shkurtër, apo do të qëndrojë më gjatë në pushtet? Kjo kryesisht varet nga ajo sa ka mësuar ai në mandatin e tij të parë, thotë për DË Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizëm.
“Në dy gjëra ai është futur me tepër vetëbesim: luftën kundër korrupsionit, të cilën ai në të vërtetë nuk arriti ta fillonte sepse ai gaboi në detyrën e dytë, kur nuk i respektoi pikëpamjet e Perëndimit, veçanërisht të Amerikës.” Ndaj do të jetë interesante të shihet sa ka ndryshur pikëpamjet fillestar – se dialogu është në vendin e gjashtë për nga prioritetet, sepse ekziston rreziku që nëse dialogu nuk është prioritet, ai mund të përjetojë një debakl si në mandatin e mëparshëm”, tha Popov.
Përshpejtimi i dialogut
“Fati i dialogut tani do të varet nga pozicioni i Amerikës dhe Evropës, por unë mendoj se ky proces tani do të përshpejtohet”, vazhdon Popov. “Ata do ta detyrojnë Kurtin ose dikë tjetër të ulet në tryezën e negociatave dhe unë nuk mendoj se nuk do të priten zgjedhjet tjera në Serbi dhe se ky proces nuk do të zvarritet edhe për dy ose tre vitet e ardhshme”.
“Aleksandar Vuçiq tani do të jetë nën një presion të madh. Ai tani është duke e përgatitur publikun për këtë me deklarata se do të jetë e vështirë dhe se ai pret presion mbi Serbinë”, thotë drejtori i Qendrës për Rajonalizëm.
Sigurisht që do të ketë presion mbi Beogradin për të bërë lëshime dhe eventualisht të njohë Kosovën, beson Jovica Pavloviq. Por ai mendon se nuk ka gjasa që dikush në Beograd, përfshirë këtu edhe Aleksandar Vuçiqin, të jetë i gatshëm të vendosë marrëdhënie dypalëshe me krahinën e shkëputur.
“Rrethanë rënduese është që Kurti është një negociator i ngurt dhe është e vështirë të pritet që ai të bëjë ndonjë koncesion për Beogradin.” Madje mund të pritet që kjo të jetë arsyeja për mungesën e ndonjë përparimi të mëtejshëm në negociata”, vëren Pavloviq.
Dialogu megjithatë prioritet?
Beogradi zyrtar tashmë ka vërejtur një ndryshim në qëndrimin e Albin Kurtit, i cili tani e ka zhvendosur dialogun në vendin e tretë ose të katërt të prioriteteve, e më parë thoshte në vendin e gjashtë. Kjo sigurisht u ndikua nga deklaratat e Departamentit amerikan të Shtetit, se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës duhet të jetë një prioritet i autoriteteve të reja të Kosovës.
“Është e qartë se deklaratat e deritanishme të Kurtit kanë qenë vetëm për përdorim fillestar në politikë dhe se deklaratat e sotme do të harrohen nesër. E politikanët do të gjejnë me siguri ndonjë alibi ose justifikim, pse duhej të braktisnin qëndrimet fillestare.” – thotë Aleksandar Popov. Mendoj se Kurti është i vetëdijshëm për këtë edhe pa paralajmërimet nga Departamenti i Shtetit, thotë Jovica Pavloviq.
“Unë jam i sigurt se ai ka një strategji për të paraqitur veten si dikush që nuk dëshiron të dialogojë – në mënyrë që të rrisë popullaritetin e tij politik. Por ai me siguri di se si ta bëjë këtë pa u dukur në opinion se është nën presion të madh dhe i detyruar t’i ndryshojë qëndrimet.” – konkludon bashkëbiseduesi ynë nga Instituti për Studime Evropiane.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e KDP
*Shënim: Hashtag.al ka nisur një bashkëpunim mediatik ndërshqiptar me medien Kdpolitik.com me qendër në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është shkëmbimi i përvojave dhe i shkrimeve për një këndvështrim ndryshe të çështjeve që prekin e shqetësojnë shqiptarët.