Avokati i Popullit i kërkon Gjykatës Kushtetuese që të shfuqizojë një nen të ligjit për Policinë e Shtetit.
Bëhet fjalë për nenin që i jep kompetencën policisë për veprimtari informative gjurmuese të qytetarëve. Sipas Avokatit të Popullit, ky nen bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut si dhe me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Institucioni i AP thekson se përmbajtja e zbatimi i këtij ligji cënon rëndë të drejtat e liritë themelore të individit e kthen policinë në një organ që mbikëqyr e gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal.
“Avokati i Popullit i kërkon Gjykatës Kushtetuese të shfuqizojë një nen të ligjit për Policinë e Shtetit.
Institucioni i Avokatit të Popullit i ka dërguar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një neni të ligjit “Për Policinë e Shtetit” që lidhet me dhënien Policisë të disa kompetencave që lidhen me veprimtari infomative gjurmuese të qytetarëve në rrethana të ndryshme.
Avokati i Popullit konstatoi dhe vlerësoi se neni 8 i ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar” vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Përmbajtja dhe zbatimi i këtij neni cenon rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut e krijon premisa që ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që mbikëqyr e gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve kompetente.” – thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit.
Më tej në reagimin e AP-së thuhet se ky nen cënon e eliminon garancitë kushtetuese e mjetet ligjore të mbrojtjes së individit, si kontrollin gjyqësor, kufijtë e përgjimit si dhe detyrimin e Policisë së Shtetit për asgjësimin e këtyre të dhënave. Për këtë arsye Avokati i Popullit kërkon shfuqizimin e nenit në fjalë e pezullimn e menjëhershëm të tij.
“Gjithashtu ai cenon dhe eleminon garancitë kushtetuese dhe mjetet ligjore të mbrojtjes së individit, si kontrollin gjyqësor, kufijtë e përgjimit, mbikëqyrjes e gjurmimit dhe kohëzgjatjen e aplikimit të këtyre masave si dhe detyrimin e strukturave të Policisë së Shtetit për asgjësimin e të dhënave të mbledhura.
Për këto arsye të qenësishme Avokati i Popullit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese më 18.02.2021 me kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe KEDNJ, të nenit të sipërpërmendur; si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij neni.” – mbyllet reagimi i Avokatit të Popullit.