Vendosni fjalën kyçe....

Basha: S’do i fusim duart te drejtësia, do ndryshojmë Kushtetutën për kufizimin e pushtetit


Kreu i Partisë Demokratike ka deklaruar sot se qeveria e tij do votojë ndryshimet kushtetuese për kufizimin e pushtetit.

Në një intervistë për News24, Basha tha se vendi ka mbërritur në këtë pikë ku është për shkak të pushtetit absolut të një njeriu të vetëm që ka marrë peng mbarë vendin.

“Unё kam folur pёr njё horizont tё ri kushtetues ku primare do tё jetё kufizimi i pushtetit sepse ne kemi ardhur nё kёtё situatё pёr shkak tё pushtetit absolut të një njeriu të vetëm i cili ka marrë peng vendin, ka marrë peng ekonominë, ka marrë peng shtetin, ka marrë peng institucionet, ka marrë peng mediat, ka marrë peng jetën e përditshme të qytetarit shqiptarë. Ky nuk është modeli për të ecur përpara, ky është modeli se si Shqipëria në 8 vite mbeti në vend numëro pothuajse në të gjitha fushat, dhe në shumë fusha eci prapa dhe shkatërroi shpresat e qindra e mijëra qytetarëve të saj shumë prej të cilëve sot kanë emigruar.” – tha Basha.

Ai shtoi më tej se pas një këshillimi të gjerë me qytetarët e grupet e interesit, do votohen të gjitha ligjet që fuqizojnë institucionet në vend dhe i kthejnë ato në duart e qytetarëve. Basha tha se procesi që do nisë pas zgjedhjeve të 25 prillit do jetë gjithëpërfshirës.

“Që ky model të marrë fund, ne duhet patjetër që t’i japim Shqipërisë një qeverisje të modelit europian. Një qeverisje ku mbizotëron sundimi i ligjit, jo sundimi i vullnetit të njëshit dhe ku qytetarët janë të garantuar në të drejtat e tyre; të drejtat e tyre themelore, të pronës, të zhvillimit, të mundësive. Për këtë arsye do të nis një konsultim i gjerë popullor me gjithë faktorët e interesit, me të gjithë qytetarët, natyrisht edhe me gjithë forcat politike, edhe me opozitën e pas 25 prillit, do të jetë një proces gjithëpërfshirës që të shmang këtë katastrofë kombëtare të këtyre 8 viteve ku pushtetit u përqendrua në një palë duar dhe faturën e paguan dhe vazhdojnë ta paguajnë shqiptarët. Më 25 prill shqiptarët do të votojnë edhe për rifuqizimin e institucioneve shqiptare, për rikthimin e institucioneve në duart e tyre dhe në këtë mënyrë për fuqizimin e individit shqiptar ku shteti të jetë shërbëtor i qytetarit dhe jo qytetari të jetë shërbëtor i institucioneve të korruptuara që nuk i shërbejnë qëllimeve që u ngarkon ligji apo interesat e qytetarëve, por i shërben xhepave dhe interesave të pushtetarëve.” – shtoi ai.

Basha theksoi më tej gjatë intervistës se Reforma në Drejtësi do ecë përpara e do përshpejtohet edhe më shumë ndërsa premtoi se PD-ja do i mbajë duart jashtë saj.

Kryedemokrati tha se kjo është garancia e vetme që reforma të ketë sukses dhe që gjyqtarët e prokurorët e pavarur të ndëshkojnë politikanët e korruptuar e krimin e organizuar.

“Reforma në Drejtësi do të vazhdojë dhe do të përshpejtohet me ritmet që i kanë munguar gjatë këtyre viteve sepse Partia Demokratike dhe unë kemi një zotim; t’i mbajmë duart larg nga reforma në drejtësi. Ta zhvillojmë atë me një standard dhe të mbajmë duart larg nga reforma në drejtësi. Kjo është dhe garancia e vetme që reforma në drejtësi të përfundojë me sukses dhe të jap rezultatet për të cilat ne e votuam me konsensus dhe unanimitet pothuajse 5 vite përpara, ndaj dhe garancia e vetme që reforma ne drejtësi të ketë sukses dhe që gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur të mos mbrojnë por të ndëshkojnë politikanët e korruptuar dhe krimin e organizuar, është Partia Demokratike, është 25 prilli, është vota e qytetarëve shqiptar për ndryshim.” – theksoi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *