Administrata e Joe Biden do të ofrojë 4 miliard dollarë për një program vaksinimi për vendet e varfëra me shpresën për të kërkuar donacione më të mëdha dhe nga qeveritë e tjera. Kështu kanë deklaruar të enjten zyrtarët amerikanë.
Siç shkruan Reuters, presidenti amerikan Biden do ta përdorë takimin e tij të parë me udhëheqësit e Grupit të Shtatë ekonomive të përparuara të kësaj të premteje, për të njoftuar një donacion të menjëhershëm prej 2 miliardë dollarësh për programin e COVAX-it të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
COVAX synon të sigurojë një furnizim të drejtë të vaksinave të koronavirusit në të gjithë botën, një program pjesë e të cilit është bërë dhe Shqipëria.
Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë 2 miliardë dollarë të tjera gjatë dy viteve të ardhshme ndërsa kombet e tjera përmbushin dhe mbajnë premtimet e tyre.
“Ne duam ta kthejmë këtë në një mënyrë për të përkthyer 2 miliardë dollarë në disa miliardë dollarë, deri në të paktën 15 miliardë dollarë.”- tha një nga zyrtarët, duke vlerësuar shumën totale të nevojshme për vaksinimin global.
Financimi i SHBA-ve tashmë është aprovuar nga Kongresi.