Autoritetet italiane kanë dëbuar nga vendi sipërmarrësin shqiptar Gëzim Sallaku. Kjo pas një dekreti dëbimi të lëshuar nga Selia e Policisë në Brescia.
Siç bëjnë me dije mediet e shtetit fqinj, biznesmeni shqiptar është etiketuar nga policia si “person i padëshiruar dhe i rrezikshëm për shoqërinë”.
Gëzim Sallaku, ish-pronar i “Darfo Calcio” me banim në një vilë në Sale Marasino, është pronar i restoranteve dhe hoteleve në Valcamonica dhe në Liqenin Iseo.
“Biznesmeni 48-vjeçar u dëbua nga vendi ynë, u kthye në Shqipëri. Disa herë në qendër të vëmendjes së lajmeve gjyqësore, Sallaku është arrestuar dhe gjykuar disa herë për vepra të ndryshme penale.”– shkruajnë mediet lokale.
Sallaku thuhet se është përfshirë në vitin 2002 në një skemë mashtrimi, në lidhje me shitjen e makinave të vjedhura, për evazion fiskal dhe posedim të armëve të zjarrit.
Ndërkohë në vitin 2018 Sallaku bashkë me vëllezërit e tij është arrestuar për shitje dhe trafikim të lëndëve narkotike. Ai dhe dy vëllezërit e tij, Gazmir dhe Isuf Sallaku, u liruan më pas nga burgu. Ndërsa vëllai i tretë Taulanti vijon të mbetet i burgosur nën akuzën e përfshirjes në një organizatë narkotrafikantësh dhe armëmbajtjes pa leje.