Mesditën e sotme, ish-deputeti demokrat Flamur Noka ka qenë në Laknas ku ka denoncuar situatën e mbeturinave që janë kthyer në rrezik për banorët e zonës.
Noka i cili është dhe drejtuesi politik i fushatës për zonat e Kamzës, Paskuqanit, Vorës dhe Zallherrit në Partinë Demokratike tha projekti i kryeministrit Edi Rama për Laknasin ka mbetur vetëm në 3D.
“Rilindja Rurale rezultoi një gënjeshtër e madhe për banorët e Laknasit.
Sot, ky fshat është i mbuluar nga mbeturinat, me ndërtesa të vjetra të mbuluara me eternit, duke u kthyer në një rrezik për banorët e zonës.
Rrugët dhe trotuaret e Laknasit janë investim i bërë në kohën kur qeveriste Partia Demokratike.
Me Edi Ramën dhe Rilindjen, kjo zonë është zhytur në baltë, ka mbetur në vendnumëro!
Gjendja e Laknasit sot është shumë larg pamjes së një fshati turistik. Kjo situatë skandaloze ka ardhur si pasojë e keqqeverisjes, e abuzimeve dhe premtimeve të pambajtura nga Edi Rama.” – tha Noka.
Kujtojmë se Laknasi është pjesë e projektit “100 fshatrat”.