Ditën e djeshme, Instituti i Statistikave ka publikuar statistikat e fundit lidhur me pandeminë dhe numrin e vdekjeve.
Sipas INSTAT-it, në vitin që lamë pas janë shënuar gjithsej 27,605 humbje jete, me një rritje të ndjeshme prej 25.8%.
Kështu sipas përllogaritjeve, kanë humbur jetën 5,668 persona më shumë në 2020-n, në krahasim me vitin e mëparshëm. E kjo në një vit ku Pandemia duket se ka patur një rol të rëndësishëm edhe pse zyrtarisht si viktima të Covid-19 në vendin tonë janë raportuar deri më tani 1 mijë e 617 njerëz.
Më shumë vdekje, më pak lindje
“Numri i vdekjeve, për tremujorin e katërt 2020 është 9.397, duke shënuar një rritje prej 73,3 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2019. Gjatë vitit 2020 humbën jetën 27.605 persona, duke shënuar një rritje me 25,8 %, krahasuar me një vit më parë. Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e katërt 2020 tregon se janë 2.386 vdekje më shumë se sa lindje. Në vitin 2020 shtesa natyrore ishte 470 lindje më shumë se vdekje.”– njofton Instat.
Ndërkohë ka patur dhe një rënie në numrin e lindjeve gjatë vitit 2020.
Sipas shifrave të INSTAT-it, numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2020 është 7.011, duke shënuar një rënie me 11,4 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2019.
Gjatë vitit 2020 lindën 28.075 foshnja, duke shënuar një rënie me 1,7 %, krahasuar me një vit më parë.
Në Shqipëri lindjet vazhdojnë të tejkalojnë vdekjet, dhe koeficienti bruto i shtesës natyrore ndryshe nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian është pozitiv. Ky koeficient për Shqipërinë është 2,3 për mijë banorë në 2019.
Në tremujorin e katërt 2020, Dibra dhe Kukësi janë dy qarqet e vetme të vendit që shënojnë shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative. Gjatë vitit 2020, katër qarqe të vendit shënuan shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative.
Qarku me më shumë vdekje
Në tremujorin e katërt 2020, të gjitha qarqet e vendit shënojnë rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Në tremujorin e katërt 2020, qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi, me 199 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana, me 2.504 vdekje.
Rritjen më të lartë në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të katërt 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, e zë qarku i Fierit, me 101,6 %.
Gjatë vitit 2020, të gjitha qarqet e vendit shënuan rritje të numrit të vdekjeve, në krahasim me vitin 2019.
Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 627 vdekje, ndërsa numri më i lartë, në qarkun e Tiranës, me 7.129 vdekje, për vitin 2020.
Rritjen më të lartë në përqindje të vdekjeve gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, e zë qarku i Lezhës, me 34,2 %.