Duke ndjekur shembullin e Australisë, Kanadaja ka njoftuar se synon të detyrojë Facebook-un të paguajë për përmbajtjen e lajmeve.
Otava zyrtare tha se nuk do të frikësohej nëse gjiganti i teknologjisë do të reagonte duke kërkuar dëmshpërblim.
Ministri kanadez Steven Guilbeault tha të enjten se ai do të fillonte hartimin e legjislacionit që mund të ngjante me atë të Australisë për të bërë Facebook-un dhe kompani të tjera të paguajnë një tarifë licencimi për të shfaqur përmbajtje të krijuar në vend në platformat e tyre.
“Kanadaja është në krye të kësaj beteje dhe ne jemi në mesin e vendeve të para në botë që po e bëjnë këtë.” – u tha ministri gazetarëve.
Ai tha se Otava po konsideronte gjithashtu një qasje më pak të ashpër se një pjesë vendesh. Franca, për shembull, u ka kërkuar kompanive të teknologjisë që të hyjnë në negociata në lidhje me një kompensim financiar.