Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Ilir Meta, mbi ndarjen klasore për vaksinimin.
Rama shkruan me ironi në një postim në “Twitter”, se sipas presidentit artistët Tinka Kurti dhe Reshat Arbana duhen lënë në fund vetëm pse janë të njohur.
“Po ç’janë këta dembelë aktivë, siç i quan Konica, që kanë vënë kujën për genocid e diktaturë pse do vaksinohen disa personalitete mbi 80 vjeç, në kuadrin e vaksinimit të 80 vjeçarëve! Po mirë Tinka Kurti dhe Reshat Arbana fjala vjen, duhen lënë në fund vetëm pse janë të njohur?”– shkruan Rama.
Presidenti Meta më herët e konsideroi vaksinimin selektiv tipike për diktaturat dhe diktatorët.
“Vetëm kriteret shkencore të vendosura ndërkombëtarisht janë ato që duhet të vendosin përparsinë në vaksinimin e popullatës. Kriteret e ndarjes klasore, selektive, janë tipike për diktaturat dhe diktatorët.”– shprehej Meta.
Ky reagim i presidentit erdhi pasi ditën e djeshme, kryeministri Rama deklaroi se të dielën do të nisë vaksinimi i të moshuarve mbi 80-vjeç që janë personalitete.