Anëtari i kryesisë së PD-së, Jamarbër Malltezi, ka denoncuar shkeljet që po bën qeveria lidhur me ndërtimin e një resorti në plazhin e Velipojës.
Ai shkruan se planet e kryeministrit Rama bien ndesh me Planin e Përgjithshëm Rregullues, e shkatërrojnë ekosistemin e dunave ranore të Velipojës.
Malltezi ka bashkëngjitur me denoncimin e tij në Facebook edhe një shkresë zyrtare që kryebashkiakja e Shkodrës, Ademi, i ka çuar kryeministrit Rama me të gjitha shkeljet e projektit në fjalë duke e quajtur këtë projekt një krim pa ndëshkim që banda e Edi Ramës po kryen në Velipojë.
“Krim pa ndëshkim! Rëra e Velipojës po zaptohet nga banda e Edi ramës. Bie ndesh me Planin e Përgjithshëm Rregullues që është në fuqi, shkatërron ekosistemin sensitiv të dunave ranore që ndalohet rreptësisht sipas direktivës së BE-së dhe është një vlerë mjedisore publike e krijuar nga miliona vjet sedimente të Bunës. Erdhi kjo kohë dhe barbarët dhe hajnat e Ramës po e grabisin dhe shkatërrojnë në emër të zhvillimit, por në fakt të fryrjes së xhepave të Edi Ramës!!! Ky është krim pa ndëshkim! Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka bërë shkresë të qartë me shkeljet ligjore. Në një shtet ligjor do duhej të kish reagim, reflektim dhe hetim penal për zyrtarët e korruptuar që shkelin ligjet haptazi për xhepin. Këtu Rama bën gomarin, veç mos i kërkojnë llogari për vjedhjet, korrupsionin galopant dhe lidhjet me krimin e organizuar. Sipas Planit Urban në fuqi, pedonalja e Velipojës bënte ndarjen mes zonave që mund të zhvilloheshin dhe atyre që mbroheshin! Tani po e grabit Edi Rama! Më poshtë edhe dokumenti kundërshtues i qartë e plot argumente i kryetares së Bashkisë Shkodër, që si shtetare po mbron interesin publik dhe mjedisor të qytetarëve. (Informacioni i huazuar nga Ilir Ciko).” – shkruan Malltezi.
*Shkresën e kryebashkiakes së Shkodrës, Ademi drejtuar Ramës e lexoni këtu: Shkresa