Familja mbretërore e Dubait ka reaguar pas videove të publikuara nga BBC të princeshës Latifa, e cila akuzoi babanë e saj se po e mbante si të burgosur që kur ajo ishte përpjekur të arratisej nga vendi në vitin 2018.
Në një deklaratë për mediet, familja mbretërore thotë se për Princeshën Latifa “po kujdesen në shtëpi”.
“Ajo vazhdon të përmirësohet dhe ne shpresojmë që ajo do të kthehet në jetën publike në kohën e duhur.”- thuhet në deklaratën e familjes mbretërore, citon BBC.
Në videot e regjistruara fshehurazi, princesha shprehej se kishte frikë për jetën e saj.
Pamjet e publikuara nxitën Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të nisur hetimet.
Agjencia e OKB-së për të drejtat e njeriut ka kërkuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe që të japin prova se princesha është ende gjallë.
Por në deklaratën e familjes mbretërore, nuk kishte asnjë video ose foto të publikuar që të mund të shërbente si provë e jetës dhe as nuk u dha ndodnjë detaj për gjendjen e saj.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha BBC-së se do të shqyrtonte çështjen, duke shtuar: “Ne i marrim seriozisht të drejtat e njeriut, ne do të monitorojmë nga afër situatën. Në të gjithë bordin, me kundërshtarë, konkurrentë, me partnerë dhe aleatë po ashtu… ne i marrim seriozisht të drejtat e njeriut dhe presidenti e ka vënë atë në zemër të politikës sonë të jashtme dhe vendet mund të presin që ne ta ndjekim atë”.
Ndërkohë kreu i Human Rights Watch, Kenneth Roth, e përshkroi deklaratën e familjes si një “histori kopertine” dhe tha se askush nuk do t’u besonte mbretërve të Dubait derisa Latifa të kishte “lirinë për të folur vetë”.