Dy pilotë që ishin duke zhvilluar një mision trajnues humbën jetën të premten, pasi aeroplani luftarak në të cilin ndodheshin u rrëzua afër Aeroportit Rajonal Montgomery në Alabama të ShBA-së, konfirmuan forcat ajrore amerikane.
Aeroplani për dy persona i tipit T-38 u rrëzua rreth orës 5 e 30 minuta të pasdites afër Fushës Dannelly. Në atë zonë ndodhet edhe një bazë e forcave ajrore të Gardës Kombëtare të Alabamas, shkruan Fox News.
“Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e dy pilotëve të përfshirë në këtë incident”, tha koloneli Seth Graham përmes një deklarate. “S’ka fjalë që mund ta përshkruajë pikëllimin që e shoqëron humbjen e anëtarëve të ekipit tonë”, shtoi ai.
Aeroplanët T-38 përdoren nga forcat ajrore dhe detare për qëllime trajnimi. Zakonisht, në këta aeroplanë ndodhen një student që është duke studiuar për t’u bërë pilot dhe një instruktor.
Drejtori ekzekutiv i aeroportit afër të cilit ra aeroplani, Marshall Taggart Jr., tha se aksidenti ka ndodhur afër një zone banimi, por nuk ka goditur ndonjë ndërtesë.