Vendosni fjalën kyçe....

“Na dinë për dado”- U kapën në video duke u tallur me prindërit, jep dorëheqjen i gjithë bordi mbikqyrës i disa shkollave në Kaliforni


I gjithë bordi drejtues i shkollave në një rreth në Kaliforninë Veriore, ka dhënë dorëheqjen pas publikimit të një video ku u zbulua se ata talleshin me prindërit gjatë një mbledhjeje virtuale ku diskutonin për rihapjen e shkollave.

Presidentja e  bordit të shkollave fillore, Lisa Brizendine dha dorëheqjen së bashku me anëtarët Kim Beede, Erica Ippolito dhe Richie Masadas.

Në mbledhjen virtuale që i kushtoi vendin e punës, ata shpreheshin se prindërit po i trajtonin mësuesit si ‘dado personale’ dhe se ata vetëm donin që klasat të hapeshin përsëri në mënyrë që vetë të mund të tymosnin lirshëm marijuanë.

Rrethi i Shkollës Fillore të Oakley-t është një rreth i shkollave publike Kaliforni, që mbikëqyr nëntë shkolla publike, shtatë shkolla fillore dhe dy shkolla të mesme.

Shefi i Shkollave të rrethit, Greg Hetrick i përshkroi komentet si ‘me të vërtetë të papërshtatshme’ dhe publikoi të enjten ​​një deklaratë ku kërkonte ndjesë.

“Natën e kaluar në takimin e zakonshëm të shkollave fillore të Oakley Union, kishte komente fatkeqe dhe vërtet të papërshtatshme që u dëgjuan nga shumë njerëz. Këto komente nuk janë tipike dhe më e rëndësishmja nuk janë ato që komuniteti duhet të presë nga rrethi ynë shkollor.”– tha ai.

Hetrick tha se distrikti shkollor ka ‘humbur besimin e komunitetit‘ dhe është zotuar të rindërtojë besimin në rreth.

Para fillimit të takimit të së mërkurës, disa nga anëtarët e bordit dyshohet se besonin se asnjë prind nuk ishte në takim dhe nisën t’i përqeshin ata.

“A jemi vetëm?”– pyeti kolegët e saj anëtarja e bordit Kim Beede, sipas ABC7.

Kur anëtarët e tjerë u përgjigjën se ishin vetëm, Beede imitoi me shaka duke kërcënuar prindërit që kishin shkruar letra për hapjen e shkollës.

Brizendine la të kuptohet se disa prindër i mendojnë për mësuesit si dadot e tyre personale.

“Ata nuk e dinë se çfarë ndodh në prapaskenë. Është vërtet për të ardhur keq që ata duan të na zgjedhin. Ata duan që kujdestaret e tyre të kthehen”– deklaroi ajo.

Gjatë bisedës, një anëtar i tretë i bordit, Richie Masadas, aludoi se prindërit donin që fëmijët e tyre të ktheheshin në klasa në mënyrë që ata të merrnin drogë pa u ndërprerë nga fëmijët e tyre.

Të gjithë po qeshnin, por prindërit që morën pamjet e këtij takimi sigurisht që jo.

Para se ata të jepnin dorëheqjen, ishin prindërit që firmosën një peticion në Change.org duke u bërë thirrje atyre që ‘të jepnin dorëheqjen menjëherë’.

Më shumë se 2,250 njerëz e kanë nënshkruar deri tani peticionin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *