Petrit Ruka, Mevlan Shanaj e Ardita Reçi janë tre emrat e rinj të Këshillit Drejtues të RTSH-së. Vendimi u mor në seancën e sotme në Kuvend.
Kujtojmë këtu se tre javë më parë Kuvendi rrëzoi tre emrat e propozuar për këshillin e RTSH-së, mes të cilëve ishte edhe emri i demokratit Besnik Mustafaj.
Katër projektligje e pesë projektvendime janë miratuar seancën e sotme në Kuvend. Në njoftimin zyrtar thuhet gjithashtu se deputetët kanë rrëzuar një dekret të presidentit Meta.
Projektligjet e miratuara janë “Për liçencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, “Për miratimin e shtesës së kontratës “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit të Morpho dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të ndërmarrjeve”.
Po kështu u miratuan edhe projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, mbi dhurimin në fushën e shëndetësisë” e projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (Huamarrësi), dhe KFW Frankfurt AM Main për programin e infrastrukturës bashkiake V, në shumën 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) euro.
Pesë projektvendimet e miratuara janë “Për miratimin e planit vjetor 2021 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2017- 2021”, “Për një ndryshim në vendimin e Kuvendit nr. 71/2020 “Për ngritjen e komisionit të posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë për administrimin e dokumentacionit dhe hartimin e një raporti përmbledhës dhe informues për gjetjet dhe konkluzionet, që kanë nxjerrë verifikimet e kryera nga institucionet përkatëse në Shqipëri për çështjet e raportit të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Dick Marty për bashkëpunimin dhe rolin për të cilin pretendohet se kanë luajtur përfaqësues politikë shqiptarë ose institucione publike shqiptare, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, në ndihmë të së ashtuquajturës veprimtari kriminale e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Po kështu u miratuan tre emrat që do jenë anëtarë të Këshillit Drejtues të RTSH-së. Petrit Ruka, Mevlan Shanaj e Ardita Reçi, janë anëtarët e rinj të këshillit drejtues të RTSH-së. Ndërsa deputetët rrëzuan dekretin e presidentit Meta “Për kthimin e ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”.