Kreu i fushatës së Partisë Demokratike, Alfred Rushaj, ka shtjelluar ditën e sotme programin elektoral të PD-së për biznesin.
Gjatë një interviste në Abc News, përfaqësuesi i demokratëve tha se në tetë vitet e qeverisjes së kryeministrit Rama, Shqipëria ka mbetur prapa.
Ai citoi renditjet e bëra në Doing Business, ku Shqipëria renditet edhe më larg se vendet e tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut, Kosova, Serbia për sa i përket klimës së biznesit.
Rushaj tha se PD-ja ka prioritet luftën kundër monopoleve. Lidhur me programin, ai theksoi se PD-ja ka punuar me ekspertë të huaj duke cekur rolin mbikëqyrës e jo ndërhyrës të shtetit.
“Lufta ndaj monopoleve është pjesë e kësaj pakete. Që nga renditja në Doing Bussines, faktor për perceptimin e klimës se biznesit në një vend te caktuar, që bëhet nga Banka Botërore. Jemi vendi i fundit në rankim në këtë raport në rajon. Maqedonia, Serbia, Kosova të gjitha janë më mirë se ne. Investimet e huaja nuk vijnë sepse politika i largon, nuk i mirëpret. Kemi punuar me ekspertë vendas dhe të huaj në këtë kuadër. Qeveria duhet të largohet sa më shumë nga tregu. Ajo duhet të jetë rregullatore, të mbikëqyrë dhe jo të ndërhyjë në çdo lloj vendimmarrje të biznesit.” – tha Rushaj.
I pyetur mbi qëndrimin e PD-së ndaj atyre që quhen oligarkë, Rushaj tha se PD-ja nuk është kundër biznesit e atyre që luftojnë për treg, që paguajnë taksa e nuk marrin favore.
Rushaj shprehu qëndrimin e PD-së kundër monopoleve e sponsorizimit të disa bizneseve nga shteti ndërsa tha se në vend 90% e tenderave janë vetëm me një kandidat.
“Nuk jemi kundër biznesit të madh dhe as të vogël. Nuk jemi kundër atyre që luftojnë për treg, që paguan taksa, nuk merr favore. Ne jemi kundër krijimit te monopoleve, sponsorizimit të disa biznesmenëve nga shteti. Sigurisht nuk jemi kundër kompanive që garojnë ndershëm dhe përmbushin kriteret. Aktualisht 90% te garave janë vetëm me një kandidat, në fond limit. Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se kjo është diçka e sajuar, e sponsorizuar. Ne do zgjedhim njerëzit, por i besojmë sistemit dhe transparencës.” – vijoi Rushaj.
Më tej, përfaqësuesi i demokratëve akuzoi qeverinë për shpenzimin e dhjetëra milionë eurove për platforma që nuk shfrytëzohen ndërkohë që informacioni është i mbyllur.
Rushaj preku më tej edhe çështjen e pronës duke theksuar se PD-ja ka një program të hollësishëm në këtë fushë të cilin do e publikojë brenda një kohe të shkurtër.
“Qeveria ka shpenzuar dhjetëra milionë euro për platforma që nuk shfrytëzohen. Informacioni sot është shumë i mbyllur. Futuni në një database publike dhe do shihni sa kompani ka, sa tendera ka marrë, sa para ka marrë. Shteti shqiptar ka ligje që detyrojnë të bëhen publike informacionet. Sot informacioni bëhet i tillë që asnjëherë publiku të mos jetë i informuar siç duhet. Kemi program të detajuar për pronat që do publikohet së shpejti. Mendojmë se një periudhë të arsyeshme kohe do të vihet nën kontroll, nuk do të jetë problem për investime. Do t’iu jepet pronarëve të shpronësuar ato të drejta që iu janë mohuar në mënyrë të padrejtë.” – vijoi Rushaj.
Për sa u përket investimeve të huaja, ai tha se qeveria e re do miratojë politika fiskale që nuk do ndryshojnë, po do jenë 4-vjeçare.
Në këtë mënyrë, tha Rushaj, bizneset do kenë siguri. Ai theksoi se qeveria e re nuk do i fusë duart te reforma në drejtësi por do lërë drejtësinë të bëjë punën e saj.
“Është e pamundur që Shqipëria të prosperojë pa investime të huaja. Ne do miratojmë politikat fiskale, për 4 vjet që me ardhjen në qeverisje. Këto nuk do të lëvizin për 4 vite. Kjo jep siguri për planin e investimeve. Sepse aktualisht pasiguria në ndryshimet e shpeshta të ligjeve fiskale ka qenë një ndër kostot më të mëdha për të bërë biznes për çdo lloj iniciative. Ne do bëjmë Kod Tatimor dhe nuk do ndryshohet. Kjo është siguri e të bërit biznes. Plani është i thjeshte. Ne nuk do të merremi. Do ta lëmë drejtësinë të bëjë punën e vet. Aktualisht qeveria po e pengon reformën në drejtësi nga qeveria.” – shtoi Rushaj.
Lidhur me antikorrupsionin Rushaj tha se kostoja e tij në vend është më shumë se 250 milionë euro. Sipas tij, duke eliminuar korrupsionin, këto burime do i kthehen vendit.
Agjencia antikorrupsion, tha ai, shpreh vullnetin e qeverisë për të luftuar korrupsionin e asaj do i jepet autonomi që të bëjë hetime administrative. Për sa i përket gjobave e ryshfetit, Rushaj tha se do eliminohen lidhjet mes administratës e qytetarëve duke thjeshtësuar sistemin e taksave.
“Kostoja e korrupsionit është shumë e lartë, diku tek 250 milionë euro. Të gjitha këto burime mund t’i kthehen vendit duke eliminuar korrupsionin. Çdo institucion ka sektor që merren me korrupsionin dhe antikorrupsionin, por nuk ka strategji të qartë se çfarë duhet të bëjë. Kjo agjenci shpreh vullnetin e qeverisë për të luftuar korrupsionin. Asaj do i jepet autonomi dhe burime që të bëjë hetime administrative dhe të japë ndihmë për mënyrën se si janë problematikat e kontratave publike dhe aktet që dalin nga qeveria. Thjeshtësia e sistemit të taksave ul korrupsionin. Aktualisht administrata përdoret edhe për gjobë dhe presion ndaj biznesit.” – theksoi Rushaj.
Në pjesën e dytë të intervistës, kreu i fushatës së PD-së u përqendrua te pandemia Covid-19 dhe administrimi i saj nga ana e qeverisë Rama. Ai e cilësoi dështim menaxhimin e saj ndërsa shtoi se qeveria ka si zgjidhje për të, propagandën.
“Për të ardhur keq, që dështimi edhe me menaxhimin e covid, ka gjetur si zgjidhje propagandën. E turpshme që edhe me Covid të bëhet propagandë dhe të mos fokusohet tek menaxhimi i krizës. E pafalshme për mua që në kuadër të një propagande të shfrytëzohet edhe covid. Dështimi i qeverisë me menaxhimin e Covid ka qene spektakolar dhe i turpshëm. Po shohim përditë skena të turpshme edhe me menaxhimin e vaksinave.” – tha Rushaj.
Përfaqësuesi i PD-së tregoi mënyrën sesi opozita do e menaxhojë pandeminë, duke theksuar se ajo ka thënë propozime konkrete për testimet, planin e vaksinimit, planin e ekonomisë dhe ndikimin e Covid. Rushaj tha se Shqipëria është vendi i fundit në rajon për mbështetjen ekonomike ndaj familjeve e bizneseve.
“Ne kemi dhënë propozimet konkrete për testimet, për planin e vaksinimit, për planin e ekonomisë dhe impaktin që covid ka pasur mbi ekonominë e vendit duke u lënë në plan të dytë efekti i tij. Ne jemi vendi i fundit per mbështetjen në rajon ndaj ekonomisë familjare dhe biznesit. Kjo gjë do ndryshojë menjëherë. Burimet për këtë janë. Është detyrim kushtetues dhe ligjor. Qytetarët ndaj edhe i paguajnë taksat që kur të vijë kjo situatë të ndihmohen.” – vijoi Rushaj.
Për sa i përket fushatës zgjedhore, ai theksoi se PD-ja nuk do kandidojë kriminelë duke shtuar se të gjithë emrat e kandidatëve kanë kaluar më herët procesin e verifikimit të figurës dhe kanë marrë mbështetjen e anëtarësisë.
“Emrat tonë nuk janë kriminelë. Emrat tanë kanë kaluar një proces verifikimi të figurës dhe anëtarësisë. Një pjesë më të madhe të tyre kanë ardhur nga votimi nga anëtarësia. Të merret kryeministri që ka mbushur parlamentin dhe qeverinë me kriminelë. Kur filloi procesi nga komisioni i vlerësimit, pritshmëria për zbatimin e marrëveshjeve që ishin lidhur ishin krejt të ndryshme, sepse nuk mendohej se Rama do prishte çdo lloj marrëveshjeje. Emrat janë ato që janë, kanë rëndësinë e vet. Opozita sot është bashkuar dhe e qartë, jemi në një pozicion jashtëzakonisht të mirë në krahasim me qeverinë.” – tha Rushaj.
Ai foli gjithashtu edhe për negociatat me aleatët teksa tha se emrat e përfshirë në marrëveshjen e PD-në do maksimalizojnë votat. Për sa i përket marrëdhënies me LSI-në, Rushaj tha se edhe nëse PD-ja me aleatët i marrin votat për të qeverisur, partia e drejtuar nga Kryemadhi do jetë pjesë e bashkëqeverisjes.
“Do ketë nje koalicion me listë të përbashkët. Do jenë emra që maksimalizojnë votat. Diskutimet me Mediun kanë qenë, ku dhe si maksimalizohet vota për opozitën. Natyrisht që është e kuptueshme të kenë mendime të ndryshme, por në krahasim me qëllimin e madh janë gjëra dytësore, tretësore. Marrëveshja e koalicionit nuk janë asnjëherë në diskutim. Dule do kandidojë në një zonë ku maksimalizohet vota. Të gjitha diskutimet për koalicionet janë taktikë elektorale. Ne mendojmë se në këtë formë maksimalizojmë votat dhe mandatet. Ndaj ka qenë ky lloj konfigurimi i koalicioneve. Do jemi në bashkëqeverisje me LSI-në, pa disktuim.” – tha Rushaj.
Ai ceku edhe deklaratat e kryeministrit Rama ditët e fundit ndaj LSI-së. Rushaj tha se Rama po përpiqet të bëjë diversion por është një lëvizje e dëshpëruar e tij dhe tregues se ka mbërritur në fund të rrugës.
“Rama ka dalë e po kërkon njerëz që të bëjë diversion, të shtojë radhët e veta,. Por e shoh si lëvizje e dëshpëruar. Këto lloj diversionesh janë tregues që ai është në fund të rrugës së tij.” – tha ai.
*Intervistën e plotë të kreut të fushatës së PD-së, Alfred Rushaj në Abc News e dëgjoni Këtu