Pas daljes nga mbledhja e shtabit elektoral të PS-së, gazetarët e pyetën kryeministrin Edi Rama nëse kishte prova për deklaratat e tij kundër presidentit Ilir Meta, që ky i fundit lëvizte natën dhe kryente takime te fshehta me qëllime elektorale.
Rama nuk dha një përgjigje nëse kishte prova apo jo, por e devijoi përgjigjen duke vijuar me të njëjtat deklarata, duke shtuar se presidenti ka humbur marrëdhënien me “trutë e kokës”.
“Unë nuk mendoj që ka nevojë për komente. Veprimtaria ilegale e Ilir Metës është në sytë e të gjithëve. Ilir Meta nuk është në lartësinë e detyrës që i kërkon Kushtetuta, po është nën çdo nivel të kërkueshëm për çdo person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës.
Një president që bën tërë ditën propagandë kundër qeverisë, që flet me një gjuhë rruge, që lëviz ditën e natën për qëllime elektorale, që e ka vënë Presidencën në dispozicion të LSI-së dhe që çdo ditë humbet nivel në raport me detyrën nuk ka nevojë ta komentoj unë, sepse të gjithë e shohin, të gjithë e kuptojnë dhe e ndjejnë dhe do ta dënojnë më 25 Prill. Sepse është përtej çdo mundësie për ta justifikuar.”– deklaroi kryeministri.