Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes një spot në llogarinë e tij në Facebook, ku përmend sfidat dhe arritjet e qeverisë së tij gjatë këtij mandati të dytë.
Përmes këtij sporti, Rama u thotë shqiptarëve se është i vetëdijshëm që shumë persona janë të pakënaqur që ai nuk i ka realizuar pritshmëritë e këtij mandati dhe se ai vetë gjithashtu është i pakënaqur. Por ai shton se ka shumë për të bërë dhe se “s’ka kohë për pushim” duke u kërkuar kështu shqiptarëve, që pavarësisht kësaj ta votojnë përsëri për një mandat të tretë.
“Kemi marrë goditje të rënda dhe jemi përballur me sfida të mëdha. E di që disa prej jush jeni të pakënaqur se nuk janë përmbushur pritshmëritë e këtij mandati të dytë. As unë nuk jam i kënaqur. Jo sot, por asnjëherë.
Por mos të harrojmë çfarë kemi hequr në çdo hap në këto kohë të mallkuara. Paga minimale është rritur me 1/3, plot 36% qysh nga fillimi i punës në drejtimin tonë.
Bluzat e bardha dhe mësuesit paguhen shumë më mirë. Taksa për afro 100 mijë biznese të vogla është bërë zero. Kantieret e ndërtimit janë më të shumta se anjëherë tjetër nëpër të gjithë Shqipërinë. Ka nisur aplikimi për naftën pa taksa për 70 mijë fermerë të regjistruar.
Pavarësisht krizave reale dhe të thella nga tërmeti deri tek pandemia e pengesave artifiziale dhe të shumta nga politika, ne kemi vazhduar të shkojmë përpara. Për të gjithë ata që duan të punojnë, jo për flenë apo të shohin me sy hapur ëndrra që i kanë zhgënjyer shqiptarët më shumë se sa njëherë, nuk ka kohë për pushim!” – tha Rama.