Kreu i PD-së ka ironizuar sot kreun e qeverisë duke thënë se po zbaton propozimet e tij, edhe pse përpiqet të tallet me to.
Basha e bëri deklaratën gjatë një takimi me biznesin në zonën e Vorës.
Ai theksoi se ulja e taksës në 9% do jetë një çlirim i madh për biznesin ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se taksat e shqiptarëve ua kalon oligarkëve, të cilëve u jep koncesione e monopole.
“36 mijë lekë të reja në muaj paga minimale. Sot e ka marrë dhe thotë se do ta bëj unë. Propozimin tonë që bëmë për dy vite me radhë thotë se do ta bëj unë. Është për të qeshur dhe për të qarë! Ulja e taksës nga 15 në 9% do të jetë një çlirim i jashtëzakonshëm. Përmes kësaj mase në do t’ju mundësojmë juve që të keni më shumë kapital në duart tuaja. Këto para do të jenë në xhepat tuaja. Kollaj është të thuash do të rrisnim pagën minimale, por kush do t’i paguaj. Më taksën 15% informaliteti është rritur, e paguan biznesi i ndershëm. Nga kjo krizë nuk dilet duke i marrë paratë e taksapaguesve duke ua dhënë oligarkëve dhe duke u dhënë koncesione e monopole. Shqipëria mund të dalë nga kjo krizë, duke mos lënë askënd mbrapa. Vijmë këtu me një plan dhe me kurajon për të zbatuar këtë plan. Do të ulim me 18% kontributet e sigurimeve shoqërore.” – tha Basha.