Vendosni fjalën kyçe....

Fushatat Negative!


Nga Irena Beqiraj

Pionierët e fushatave negative politike, janë cilësuar John Adams dhe Thomas Jefferson, në garën për President, në vitin 1797. Më parë, njëri President dhe tjetri Zëvendëspresident, bashkëpunuan vrullshëm për shpalljen e Pavarësisë së Amerikës dhe si të tillë, kishin shfaqur veç vlerësim dhe respekt për njëri-tjetrin. Por në vitin 1800, politika i distancoi. Kerwin Stint në artikullin “Etërit themelues të fushatave negative” përshkruan: “Kampi i Jeffersonit akuzoi Presidentin Adams se kishte një karakter hermafroditik të shëmtuar, i cili nuk ka as forcën dhe qëndrueshmërinë e një burri, as butësinë dhe ndjeshmërinë e një gruaje. Në kthim, njerëzit e Admas e quajtën Zëvendëspresidentin Xheferson “gjarprin e një indiani gjysmë-race, i lindur nga një baba mulat nga Virgjinia. Ndërsa akuzat përparonin, Adams u etiketua si budalla, hipokrit, kriminel dhe tiran, ndërsa Xheferson u shpall i dobët, ateist, libertinë dhe frikacak”.

Të përbuzura, por të ndjekura, të kritikuara, por të justifikuara, çuditërisht më shumë të dënuara me një keqardhje të rreme, nga aktorët e tyre, akuzat edhe sharjet nuk sosin.

Akuzat politike janë pjesë e “argëtimit popullor”, sikur ishin ndeshjet me gladiatorë në Romën e lashtë. Forca e gladiatorëve politikë të sotëm, nuk është fizike. Ajo është më së shumti, fuqi oratorie për të lartësuar veten, duke sharë e akuzuar palën tjetër. Ky shfaqje edhe pse me zë të lartë, etiketohet si i shëmtuar, argëton, shet, merr më shumë klikime krahasuar me çdo ngjarje tjetër.

Të prekur nga sindroma Hubris, politikaneve kjo shfaqje u vjen natyrshëm. Hubris është një koktej i rrezikshëm i vetëbesimit, arrogancës dhe krenarisë që ushqehet nga fuqia dhe suksesi i gjatë në politikë. Polikanët e shfaqin hapur fuqinë për vetë-lavdërim; kanë një fokus pothuajse obsesiv në imazhin personal; karakterizohen nga vetëbesimi i tepruar, i shoqëruar nga përbuzja për këshilla ose kritika; kanë humbur kontaktin me realitetin; shpesh e më shpesh flasin si Mesia i ardhur në tokë, mbizotërimi suprem i ka çuar në mospërfillje ndaj detajeve.

Të prekur nga një sindromë e tillë edhe pse politikanë të një vendi të vogël dhe të varfër, ata nuk mund të jenë modestë, të përulur, të urtë e të mençur dhe si të tillë, fatkeqësisht, shumë rrallë i gjen të përfshirë në debat idesh. Debati i ideve kërkon si parakusht të kesh njohuri dhe së dyti, të pranosh relativitetin e tyre.

Ndërkohë, koha e gjatë në politikë, ka përsosur aftësitë e tyre për të kuptuar çfarë i tërheq spektatorët e arenës së tyre të luftës. Akuzat, sharjet janë simbolet më supreme të transmetimit të të keqes dhe si të tilla përhapen lehtësisht, sepse ne humanët karakterizohemi nga instikiti i negativitetit. Tërhiqemi më shumë prej lajmit të keq. Aktorët politikë dinë që truri i votuesit funksionon duke ndjerë dhe jo domosdoshmërisht duke menduar. Akuza, sharja, vetë-mburrja, janë katalizatorët më të mirë të ndjesive. Idetë, janë katalizatorët e mendimit kritik, i cili fatkeqësisht nuk argëton.

Për këtë arsye debati i ideve si i vetmi katalizator zhvillimi ka qenë dhe do të mbetet një shfaqje e padëshiruar. Ne do vazhdojmë te gajasemi, të shikojmë, të analizojmë maskaraden që i bëjnë liderat e vjetër, të sotëm, edhe ato potenciale njeri tjetrit!

Oh sa po kënaqemi!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *