Themeluesja e partisë Lëvizja për Ndryshim, Jozefina Topalli ka prezantuar këtë paradite, listën e kandidatëve të saj për zgjedhjet e 25 prillit.
“Kam kënaqësi që kam në këtë listë të parë, përfaqësues nga të gjitha fushat dhe të gjitha moshat.”– është shprehur zonja Topalli.
Ajo u shpreh se kandidatët e partisë së saj janë ndryshe nga politikanët e vjetër, që sipas saj do të sjellin ndryshimin.
“Ndryshimi nuk vjen nëse presim për një kohë tjetër, ndryshimi që kërkojmë të ndjekim jemi vetë ne. Thonë që koha i ndryshon vetë gjërat, por duhet të jemi ne vetë ta bëjmë atë. Të bëjmë atë që kemi në dorë, në vend që të ankohemi për atë që nuk mundemi.
Lëvizja për Ndryshim synon të kthehet në shpresë, jemi kundër korrupsionit të instaluar në çdo qelizë të shtetit nga tre kryetarët e tre partive. Mesazhi nga Kosova apo Italia është mënyra se si bëhet politikë në botë. Boll më me riciklim të personave që kanë provuar çdo post në të kaluarën. Përtej Ramës, Bashës e Metës ka 3 milionë shqiptarë të tjerë patriotë, jo si këta që na kanë marrë peng.
Ata të tre janë përgjegjësit që në Shqipëri s’ka shpresë dhe një të djathtë reale. Përgjegjësit e polarizimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Ftesa jonë nuk është për ato që nuk ndryshojnë mendje, por ftojmë mendje hapurit, të ndershmit, çdo të ri, prind që duan t’i kthejnë dinjitetin çdo shqiptari. Kjo është lista më e mirë e tre dekadave me profesionistë të nderuar, mjekë e të rinj të shkëlqyer. Janë të pakorruptuar, dinjitozë, njerëz me kurajo.”- tha Topalli.
LISTA
- Elida Hoxha nga Fieri, matematikane, pedagoge në Universitetin e Shkodrës.
- Robert Qitozi, pedagog në Universitetin e Sporteve në Tiranë. Autori i disa librave e teksteve universitare.
- Lorenc Radovani, pedagog në Akademinë e Arteve.
- Meri Kristaq Lalaj nga Pogradeci, diplomuar si mësuese e gjuhës së huaj angleze dhe shqipe.
- Stela Jakova doktor i shkencave Ekonomike,
- Arben Basha, pedagog në Akademinë e Arteve.
- Lek Negri, studioi ne Universitetin e Arteve, dega Muzike, punon si pedagog në Universitetin e Arteve.
- Fleino Muzali, diplomuar ne Padova për Shkenca Politike, histori e politike ndërkombëtare, pedagog në Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’, aktualisht sipërmarrës.
- Françeska Memia, ka mbaruar gjimnazin me rezultate të shkëlqyera në Itali, ka fituar të drejtën për koordinatore në fondacionin ‘Save the Children’. Ka lindur në Itali e është kthyer në Shqipëri për të dhënë kontributin e saj. Vjen nga një familje demokrate qysh herët.
- Dionis Osman Agaj shkollohet në Itali, për multimedia.
- Polikron Polluçi, mjek hematolog dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë.
- Daniela Kavaja, ka punuar në arkitekturë në Romë, është kthyer me bashkëshortin e saj në Tiranë e po punon në departamentin e Arkitekturës në Universitetin e Tiranës.