E para që i mbijeton kancerit të kockave e bëhet astronaute, personi i parë me një pjesë të trupit protetik që viziton hapësirën dhe amerikania më i re ndonjëherë që viziton orbitën e Tokës.
Këto janë tre gjëra për të cilat së shpejti mund të mburret 29-vjeçarja Hayley Arceneaux.
Siç shkruan BBC, në muajin janar, ndihmës mjekja u zgjodh për t’u bashkuar me ekuipazhin e misionit të parë hapësinor të civilëve në botë.
Zonja Arceneaux ishte mjaft e emocionuar, por në fillim nuk duhej të fliste për këtë.
“Unë kam mbajtur sekretin më të madh të jetës sime për një muaj e gjysmë. Kështu që tani duhet ta ndaj me botën.”- i tha ajo BBC-së.
Përzgjedhja e saj për misionin historik u njoftua të hënën nga Spitali Kërkimor i Fëmijëve St Jude në Tenesi, ku Arceneaux dikur ishte një paciente me kancer dhe tani punon atje.
Më vonë këtë vit, ajo do të niset nga Florida me një raketë të “SpaceX”-it, kompanisë së themeluar nga biznesmeni Elon Musk.
“Unë mendoj se ky mision do të frymëzojë njerëzit në shumë mënyra.”– tha zonja Arceneaux. “Kjo u tregon atyre se gjithçka është e mundur”.
Nuk do të ketë astronautë profesionistë në këtë raketë të “SpaceX”.
Përkundrazi, zonjës Arceneaux do t’i bashkohen dy fituesit e tjerë të konkursit dhe komandanti i fluturimit Jared Isaacman, një miliarder 38-vjeçar i cili po paguan për të gjithë misionin.
Isaacman po synon të përdorë fluturimin për të mbledhur 200 milion dollarë për spitalin St Jude, gjysmën e së cilës ai tha se do ta dhuronte vetë.
Nga katër vendet e disponueshme në anijen kozmike, njëra iu ofrua një anëtari të stafit në spital.
“Që nga fillimi, ne donim një anëtar të ekuipazhit që përfaqësonte frymën e shpresës së misionit.”– tha Isaacman. “Unë nuk mund të mendoj për një person më të mirë se Hayley për të përmbushur këtë përgjegjësi.”
Për zonjën Arceneaux, fluturimi do të jetë realizimi i diçka që ajo kurrë nuk e mendoi se ishte e mundur.
Beteja me kancerin
Në moshën 10 vjeçare, Arceneaux ishte një paciente në spitalin St Jude e cila vuante nga kanceri i kockave.
Si pjesë e trajtimit të saj në spital, Arceneaux bëri kimioterapi dhe operacione për të zëvendësuar disa nga kockat e këmbës me të tjera artificiale.
Në një epokë tjetër, kockat protetike të këmbëve të saj do të ishin bërë pengesë për udhëtimin e saj në hapësirë si një austronaute e NASA-s, kjo për shkak të kërkesave të rrepta mjekësore të agjencisë.
Por shfaqja e misioneve hapësinore private në vitet e fundit ka mundësuar që më shumë prej nesh të ndërmarrin një udhëtim të tillë.
“Deri në këtë mision, nuk mund të kisha qenë kurrë një astronaut.”– tha zonja Arceneaux. “Ky mision është hapja e udhëtimeve në hapësirë për njerëzit që nuk janë të përsosur fizikisht.”
Arceneaux ndodhej në shtëpinë e saj në Tenesi kur mori telefonatën më 5 janar, ky e pyetën nëse dëshironte të bashkohej me misionin. “Menjëherë, unë thashë: Po, po të lutem.”– tregon ajo.
Fillimisht ajo foli me familjen e saj për t’u “siguruar që ata nuk ishin kundër”. Pasi vëllai dhe kunata e saj të cilët janë inxhinierë të hapësirës ajrore e siguruan “se sa i sigurt është udhëtimi në hapësirë”, ajo pranoi të bashkohej me ekuipazhin.
Isaacman po planifikon të zgjedhë dhe zbulojë dy anëtarët e ekuipazhit të mbetur deri në mars.
Njëri do të jetë fituesi i një konkursi në lotari, të ardhurat e të cilit do t’i dhurohen St Jude. Vendi tjetër do t’i jepet fituesit të një konkursi i cili u kërkon sipërmarrësve të hartojnë një dyqan në internet duke përdorur një softuer të bërë nga Shift4, kompania e teknologjisë së pagesave të Isaacman.
Sapo të zgjidhet, ekuipazhi do t’i nënshtrohet një programi rigoroz trajnimi disa mujor, duke përfshirë simulimet e misionit në gravitetin zero.
Zonja Arceneaux tashmë e ka provuar kostumin e saj hapësinor. Ishte “kaq e lezetshme” por “më e rëndë nga sa prisja.”- tha ajo.
“Unë me të vërtetë nuk jam nervoze. Unë kam takuar inxhinierët kryesorë për çdo aspekt të këtij misioni. Unë vërtet u besoj atyre.”
Krahasuar me atë që ka kaluar si fëmijë, udhëtimet në hapësirë nuk duhet të jenë problem.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC-së/ Përshtati në shqip Hashtag.al