Politikanët shqiptarë duket se kanë filluar të publikojnë spotet e para elektorale. Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ka publikuar sot një spot ku përmend pikat kryesore të programit të saj për sektorin e bujqësisë.
“Mbështetje e plotë për fermerin dhe prodhimin vendas. Bujqësia, blegtoria, agropërpunimi, sektorë kryesorë ekonomik që sjellin cilësi jete, mirëqenie dhe vende pune.”– shkruan zonja Kryemadhi.
Në këtë spot, Kryemadhi thotë se do të garantojë mbështetje direkte për fermerët për të rritur prodhimin dhe se do të vendosë TVSH 0% në të gjithë zinxhirin e prodhimit, për të mbështetur produktet vendase.
“Gjysma e popullit shqiptar jeton me bujqësi. Shumë prej tyre janë në kufijtë e mbijetesës. Ndërkohë që shqiptarët shpenzojnë rreth 80% të pagës për ushqim, vetëm 30% e kësaj kërkese mbulohet nga prodhimi vendas.
Me planin tonë, kjo situatë do të ndryshojë.
Fermerëve shqiptarë do t’ju garantojmë mbështetje direkte për të rritur prodhimin. Një Paketë Financiare të Dedikuar, e cila do të investohet për të mundësuar uljen e kostove të imputeve bujqësore dhe të naftës.
E ndërsa fermerët do të mbështeten për njësi prodhimi, shqiptarët do të ushqehen me prodhimet ‘Made in Albania’.
Do të vendosim TVSH 0 % në gjithë zinxhirin e prodhimit dhe do të mbrojmë prodhimin vendas, që shqiptarët të ushqehen më mirë e më lirë.
Do të mbështesim industrinë ushqimore e cila do të mundësojë hapjen e vendeve dinjitoze të punës.
Ne e mbajmë fjalën! Shqipëria do të bëhet shtëpia juaj!”– thotë Kryemadhi.
Kujtojmë se edhe kryeministri Edi Rama publikoi dje spotin e tij nga Unaza e Re, ku u kërkonte shqiptarëve mandatin e tretë, ndërsa pranonte se në mandatin e tij të dytë nuk ishin realizuar të gjitha pritshmëritë dhe shprehej se ishte i pakënaqur për këtë.