Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi në një takim me gratë në njësinë 11 në Tiranë u fokusua te gjendja ekonomike, papunësia dhe mungesa e ndihmës ekonomike.
Vokshi thotë se Rama ka shfrytëzuar figurën femërore si matrioshkat në krye të ministrive për fasada dhe për qëllime të interesave të tij ekonomike.
Ajo shtoi se punësimi dhe shkollimi i tyre është strategji kombëtare.
“Gratë dhe vajzat janë modeli i dinjitetit dhe shpresës më të madhe për Shqipërinë.
U takova sot gra të njësisë 11, ku në fokus ishte gjendja e tyre e vështirë ekonomike, papunësia, mungesa e ndihmës ekonomike dhe pengesat e shumta që ato hasin si nëna, bashkëshorte, si kryefamiljare në jetën e përditshme. Gocat dhe gratë më shprehen përpjekjet sfilitëse që ato bëjnë për ti mbijetuar varfërisë, për shkak të mungesës së shtetit i cili i ka braktisur gratë në jetën reale. Ato nuk gjejnë dot punë as në administratë dhe as një profesion stabël në biznes pasi ky i fundit po falimenton çdo ditë.
Ndërkohë taksat dhe faturat për tu paguar bëhen të papërballueshme çdo ditë e me tepër.
Në 8 vite qeverisje Rama e shfrytëzoi figurën femërore si matrioshkat në krye të ministrive dhe në zyra institucionesh për fasada dhe për qëllime të interesave të tij ekonomike dhe politike.
Punësimi i grave dhe i vajzave dhe shkollimi i tyre është strategji kombëtare sepse gratë dhe vajzat janë burimi i jetës dhe nuk mund te trajtohen si numra për beteja politike”-shkruan Vokshi.