Gjatë shtjellimit të planit ekonomik të PD-së për energjinë elektrike e karburantet, Basha tha se qeveria e re do ulë çmimin si dhe do rrisë cilësinë e karburantit për qytetarët.
Kryedemokrati tha se do zbatohen politika fiskale të ndryshme nga ato të qeverisë Rama, ku përmendi heqjen e taksës prej 240 lekësh për litër karburanti.
Po kështu, Basha tha se qeveria e tij do hapë tregun energjitik duke zhbërë monopolet.
“Ne do të ulim çmimin dhe do të rrisim cilësinë e karburantit për qytetarët, përmes politikave fiskale, ku veçoj heqjen e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti dhe duke hapur tregun e duke zhbërë dhe çmontuar monopolet që ekzistojnë sot. Jo vetëm që do të kurseni para, po edhe Shqipëria do të jetë më e gjelbër, më e shëndetshme dhe më e pastër. Ne do të rrisim sigurinë e furnizimit me energji në vend, përmes investimeve në burime energjie të gjelbra e të pastra.” – tha Basha.
Ai shtoi më tej se do ketë një kontroll të rreptë të cilësisë së karburanteve ndërsa theksoi së cilësia e tij për përdorim industrial apo familjar do arrijë standardin europian brenda 180 ditëve të para.
“Kontrolli i rreptë i cilësisë së karburanteve do të jetë një tjetër prioritet absolut dhe angazhim i qeverisë tonë. Cilësia e karburantit për përdorim industrial apo familjar do të arrijë standardin europian brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë.” – shtoi kreu i PD-së.