Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka prezantuar sot programin e tij për Energjinë, ku ka premtuar se do të ulë faturat e energjisë elektrike.
“Ne do të ulim faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.”– deklaroi Basha.
Ai tha se do të liberalizojë tregun e energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë. Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë.
Po ashtu tha se do të zhdukë nga qarkullimi gjeneratorët, “sepse është skandal për ekonominë shqiptare që në vitin 2021, nga vetë të dhënat e Bankës Botërore, gati gjysma e bizneseve deklarojnë se përdorin gjeneratorin për furnizim.”
Kryedemokrati deklaroi se do të angazhohet dhe për bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën duke kombinuar prodhimin nga TEC-et në Kosovë për energji elektrike bazë ndërsa ajo e prodhuar në Shqipëri do të përdoret për të mbuluar kërkesën në kohën e pikut.
DEKLARATA E BASHËS
I dashur prind dhe kryefamiljar,
Kur e ke pyetur veten për të fundit herë: pse më vjen kaq e shtrenjtë fatura e dritave?
Jam i sigurt që kjo pyetje ju mundon çdo muaj. Kjo pyetje mundon shumicën e familjeve shqiptare. Dhe a e dini pse?
Sepse çmimi energjisë elektrike në Shqipëri është shumë i lartë.
Po pyetjen “pse janë në gjendje kaq të keqe rrugët e Shqipërisë” kur e ke bërë për herë të fundit? Pse qytetet tona përmbyten çdo dimër? Pse ca reshje bore të paralajmëruara paralizojnë të gjithë akset tona kombëtare?
Jam i sigurtë që të gjithë e dimë përgjigjen.
Të gjithë tashmë e dinë se Shqipëria ka ngecur në vendnumëro me Ramën këto 8 vite, ndaj nuk kemi përparim në asnjë drejtim: as në ekonomi, as në shëndetësi, as në turizëm, dhe as në integrim.
Shqipëria nuk mund të mbetet edhe 4 vite të tjera në vendnumëro me Ramën. Ka ardhur koha të ndryshojmë, sepse ata që e lanë këtë vend në baltë nuk mund ta çojnë atë drejt suksesit.
Gjatë 8 viteve të dështimit të Ramës, na thanë se çmimi i energjisë nuk mund të ulet.
Por ja që është e mundur! Dhe kjo varet vetëm prej nesh. Nëse duam ndryshim, duhet të heqim qafe Ramën dhe të ulim çmimet.
Ndaj kemi punuar prej muajsh mbi një plan pune efikas, që do të çojë në uljen e çmimit të energjisë dhe do të përmirësojë gjendjen ekonomike në Shqipëri.
Sot jam i lumtur t’ju prezantoj disa nga pikat kryesore të këtij plani. Ta fillojmë me energjinë. Thelbi është të krijojmë konkurrencë, e cila do të sjellë uljen e çmimeve.
Edhe për këtë plan ne i qëndrojmë parimit: nëse nuk do ta zbatojmë, nuk do të kërkojmë një mandat tjetër.
Ja edhe pikat kryesore të planit tonë Shqipëria Fiton Energjinë:
Ne do të ulim faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.
Ne do të LIBERALIZOJMË tregun e energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve MUNDËSINË të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë.
Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë.
Biznesi do te furnizohet më lirë dhe më mirë, duke rritur kështu konkurrueshmërinë e tij dhe mundlësitë për të gjeneruar punësim.
Ne do te zhdukim nga qarkullimi gjeneratorët, sepse është skandal për ekonominë shqiptare që në vitin 2021, siç e degjuam edhe nga vetë të dhënat e Bankës Botërore, gati gjysma e bizneseve deklarojnë se përdorin gjeneratorin për furnizim.
Investimet në rrjetin e shpërdarjes do të shkojnë atje ku duhet, dhe jo ne xhepat e administratoreve të korruptuar. Kompanitë publike do t`i kthejmë në ekonomikisht të qëndrueshme, me fokus kryesor mirëadministrimi i OSHE-së.
Unë angazhohem për bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën duke kombinuar prodhimin nga TEC-et në Kosovë për energji eletrike bazë ndërsa ajo e prodhuar në Shqipëri do të përdoret për të mbuluar kërkesën në kohën e pikut.
Do të marrin fund ditët e nëpërkëmbëmjes dhe pagesave korruptive që i kërkohen investitorëve dhe sipërmarrjes nga kjo administratë.
Ne do të ulim çmimin dhe do të rrisim cilësinë e karburantit për qytetarët, përmes politikave fiskale, ku veçoj heqjen e taksës Rama prej 240 lekë për litër karburanti dhe duke hapur tregun e duke zhbërë dhe çmontuar monopolet që ekzistojnë sot.
Jo vetëm që do të kurseni para, po edhe Shqipëria do të jetë më e gjelbër, më e shëndetshme dhe më e pastër.
Ne do të rrisim sigurinë e furnizimit me energji në vend, përmes investimeve në burime energjie të gjelbra e të pastra: Shqipëria do të përfitojë nga pozicioni i saj i shkëlqyer gjeografik, duke u kthyer në një qendër për furnizimin e mbarë Ballkanit, po edhe më përtej, me gaz natyror, i cili është më i pastër, më i pakushtueshëm dhe do të forcojë ekonominë tonë.
Ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës. Do të nxisim ndërtimin e kapaciteteve të reja të mëdha si energji të pastër në bazë, ndërsa rezervat hidrike të KESH do t`i përdorim për energjinë e balancimit apo energjinë në pik.
Përparësi reformave tona në këtë sektor do të jetë lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, evazionit dhe kontrabandës që sot ka kapur sektorin. Ky fenomen, sot po rrënon pasurinë kombëtare dhe po dëmton rëndë konsumatorët.
Ne do të zhdukim monopolet dominuese në tregun hidrokarbur, si dhe do të forcojmë luftën ndaj evazionit fiskal e do të mundësojmë dyfishimin e investimeve private në sektorin e naftës, i cili vitet e fundit po vuan rënien e ndjeshme të këtyre investimeve për kërkim-zbulim-prodhimin e naftës.
Kontrolli i rreptë i cilësisë së karburanteve do të jetë një tjetër prioritet absolut dhe angazhim i qeverisë tonë. Cilësia e karburantit për përdorim industrial apo familjar do të arrijë standardin europian brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë. Ky është angazhimi që marrim përpara jush sot.
Ne do të lidhim gazsjellësin TAP me TEC-in e Vlorës, do të gazifikojmë zonat industriale dhe do të aplikojmë projektin e magjistralit Jon-Adriatik, duke siguruar një lidhje me magjistralin e gazit me Kosovën.
Në sektorin minerar, ne angazhohemi për të rritur 150% Investimet e Huaja Direkte dhe do të dyfishojmë kontributin e këtij sektori në ekonomi. Kjo do sjellë punësimin direkt dhe indirekt për mijëra shqiptarë, në veçanti në zonat malore dhe të varfëra. Kjo do të arrihet përmes përmirësimit të ndjeshëm të klimës së biznesit në vend, qartësisë së lidheve dhe rregullave, luftës kundër korrupsionit dhe shmangies së mbivendosjeve së kompetencave të agjencive të ndryshme qeveritare. Ne do ta çlirojmë sektorin minerar nga korrupsioni i administratës dhe do t’i japim fund përdorimit të pasurive kombëtare pa taksa dhe në mënyrë të pandershme.
Ne jemi gati të shqyrtojmë në bashkepunim me shoqatat e minatorëve, çdo përfitim të veçantë për minatorët, për sakrificat që ata bëjnë dhe që shoqëria ua ka borxh, përfshirë ketu përfitimet sipas një statusi dinjitoz për punë të vështirë si dhe për t’u lehtësuar sadopak pleqërinë me pensione po ashtu dinjitoze.
Menjëherë pas zgjedhjeve, unë do të përqendroj të gjithë fuqinë e shtetit në dy detyra të tjera kryesore: zgjidhja e problemeve të përmbytjeve të qyteteve tona dhe përfundimin me shpejtësi i riparimit dhe rehabilitimit të të gjitha dëmeve të tërmetit.
Nuk është aspak për t’u habitur që Rama nuk bëri asgjë për këto dy çështje jetike.
Ndërkohë akoma pa ardhur në qeverisje, ne kemi marrë angazhimin e institucioneve prestigjioze që kanë punuar krah për krah me NATO-n dhe Bashkimin Europian për një zgjidhje reale dhe të qëndrueshme të problemit të përmbytjeve në veçanti dhe erozionit dhe ndotjes në tërësi.
Të dashur bashkëqytetar, të gjitha këto mund dhe do të arrihen duke larguar Ramën dhe duke i dhënë fund transferimit kolosal të parave tuaja, të parave publike që ai j’ua çuar dhe vazhdon t’ua çojë miqve të tij. Ne do të garantojmë që këto para të shkojnë atje ku ju keni nevojë.
Të dashur qytetarë shqiptarë,
Ndryshimi është i mundur. Ne mund dhe do ta arrijmë atë.
Kjo varet e gjitha nga ne. Bashkë do të sjellim ndryshim dhe do ta bëjmë një vend tonë më të mirë për të jetuar për të gjithë shqiptarët.
Ju falemnderit!