Vendosni fjalën kyçe....

Themelohet koalicioni opozitar “Aleanca për Ndryshim”, zbardhet marrëveshja e Bashës me aleatët


Opozita e bashkuar do jetë koalicioni i vetëm në zgjedhjet e 25 prillit. Koalicioni i gjerë opozitar do mbajë emërtimin ‘Aleanca për Ndryshim’.

Marrëveshja është nënshkruar sot në selinë e PD-së e pjesë e saj janë një numër i madh forcash politike të kryesuara nga PD-ja.

Më herët ditën e sotme, Basha arriti marrëveshjen për daljen me një listë të përbashkët kandidatësh në zgjedhjet e 25 prillit me Mediun e PR-së, Dukën e PAA-së, Dulen e PBDNJ-së, Shehin e LZHK-së e Idrizin e PDIU-së.

Ndërkohë LSI-ja do dalë me listë të vetën në zgjedhjet e 25 prillit. Megjithatë siç theksoi kreu i fushatës së PD-së, Alfred Rushaj, PD e LSI janë pjesë e qëllimit thelbësor për largimin e qeverisë së kryeministrit Rama e do jenë pjesë e bashkëqeverisjes pas 25 prillit.

Ai deklaroi sot se në të gjitha negociatat me aleatët është vënë theksi te mënyra për maksimizimin e votës e mandateve të opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 25 prillit.

Marrëveshja

“Ne bashkohemi që të garantojmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i sjellim ndryshim vendit tonë.

Të gjithë e dimë që duhet ndryshim. Shqiptarët janë të fortë, Shqipëria është e fortë. Ka vetëm një njeri përgjegjës për dështimin e Shqipërisë në 8 vitet e fundit dhe ky është Edi Rama.

Ne po ndajmë të njëjtat vlera e parime në veprimtarinë e përgjithshme politike, si edhe në vizionin për qeverisjen e vendit. Dëshirojmë të koordinojmë angazhimet dhe kontributin për fitoren e përbashkët politike dhe prandaj

Vendosëm që:

Të formojmë një koalicion për të konkurruar së bashku në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 prill 2021.

Në marrëveshje përcaktohet emri i koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, shkronjat nistore të koalicionit “PD-AN” dhe sigla e koalicionit. Gjithashtu thuhet se partia udhëheqëse e koalicionit është Partia Demokratike e Shqipërisë.

Partitë aleate autorizojnë z.Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike që të paraqesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat shumëemërore të kandidatëve për deputet, si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm për regjistrimin e koalicionit dhe kandidatëve deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Po kështu autorizohet Ivi Kaso që:

Të paraqesë kërkesë për regjistrimin e Koalicionit “Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, së bashku me këtë marrëveshje, pranë KQZ-së.

Të përfaqësojë Koalicionin gjatë procedurës së shortit, në KQZ, për renditjen e subjekteve zgjedhore në fletën e votimit.

Të caktojë vëzhguesit e Koalicionit në KZAZ-të, KQV-të dhe VNV-të, në të gjithë vendin.

Termat konkrete të bashkëpunimit brenda koalicionit do të përcaktohen nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe të partive politike në përbërje të tij. Numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti brenda koalicionit do të specifikohet në momentin e depozitimit të listës shumëemërore të kandidatëve të koalicionit, sipas modelit të përcaktuar në aneksin e Udhëzimit nr.1 dt. 23.12.2020 të KQZ.

Në listën shumëemërore të koalicionit zgjedhor do të përfshihen, për çdo parti të koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre, bazuar në peshën elektorale që rezulton për secilën parti. Kandidatët në listat shumëemërore të koalicionit, pavarësisht se cilës parti i përkasin, do të konsiderohen dhe vlerësohen si kandidatë vetëm të koalicionit, duke shmangur trajtimi ne tyre sipas përkatësive partiake.

Kjo marrëveshje hyn në fuqi menjëherë ditën e nënshkrimit të saj.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *