Sipas The Japan Times, kryeministri Yoshihide Suga shtoi një ministër të ri në kabinetin e tij në fillim të këtij muaji, duke ndjekur shembullin e Mbretërisë së Bashkuar, e cila në vitin 2018 u bë vendi i parë që krijoi një rol të ngjashëm.
Yoshihide Suga caktoi ministrin Tetsushi Sakamoto, i cili është i ngarkuar për të luftuar rënien e nivelit të lindjeve të vendit dhe rijetëzimin e ekonomive rajonale.
Në konferencën e tij përuruese të shtypit, Sakamoto tha se kryeministri Yoshihide Suga e emëroi atë për të adresuar çështjet kombëtare “përfshirë çështjen e rritjes së nivelit të vetëvrasjes së grave gjatë pandemisë”.
Sipas shifrave paraprake të publikuara nga Agjencia Kombëtare e Policisë në Japoni, mbi 20 mijë e 900 njerëz kryen vetëvrasje në vitin 2020. Siç shkruajnë mediet japoneze, është 750 vetëvrasje më shumë se një vit më parë dhe duke shënuar rritjen e parë nga viti në vit në 11 vjet. Rritja i atribuohet kryesisht një rritjeje të dukshme të vetëvrasjeve midis grave dhe të rinjve.
Duke ia besuar pozicionin Sakamoto-s, Suga shprehu shqetësime se “më shumë gra ndihen të vetmuara dhe të prirura për vetëvrasje” dhe e udhëzoi atë të hartonte politika “gjithëpërfshirëse” kundër vetmisë.
Kjo nuk do të thotë, megjithatë që janë vetëm gratë dhe të rinjtë ata që qeveria japoneze ka në mendje.
Kryeministri Suga tha se njerëzit nga të gjitha sferat e jetës, përfshirë të moshuarit e mbërthyer në shtëpi dhe studentët e universitetit që nuk janë në gjendje të ndjekin mësimet në auditore, po ndihen gjithnjë e më të izoluar në epokën e COVID -19.