Vendosni fjalën kyçe....

Vlerësimi i DASH-it për Dvoranin, Erion Veliaj: Ai humbi një vëlla në Gërdec, Meta e Berisha e kthyen në tabelë qitjeje


Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ka komentuar vendimin e djeshëm të DASH-it për të vlerësuar gjyqtarin Ardian Dvorani më një çmim të ri ndërkombëtar si një ndër Kampionët Antikorrupsion në botë.

Në një intervistë në emisionin “Real Story” në “News 24”, Veliaj u shpreh se Dvorani është goditur vazhdimisht politikisht nga presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit e kanë kthyer në një tabelë qitjeje. Ai madje shton se Dvorani ka humbur edhe një vëlla në shpërthimin e ndodhur në Gërdec dhe se më në fund pas të gjithë këtyre, SHBA-të kanë folur dhe kanë folur saktë.

 “Nuk e kam takuar ndonjëherë zotin Dvorani dhe s’kam pasur ndonjëherë problem me drejtësinë kështu që tek kjo bota e Reformës në Drejtësi, jam pak profan dhe nuk di shumë detaje. Por fakti që nuk njoh Dvoranin dhe njoh shumë mirë Ilir Metën dhe Sali Berishën di çfarë mund të them dhe besoj se për një njeriu që u lapidua dhe u godit me gurë, sot mori një vajosje në kuptimin e mirë të fjalës, pra një shpagim. Për mënyrën se si ka rezistuar ndaj këtyre personave që e kthyen në një tabelë qitjeje.

Dhe në qoftëse dikush kishte dyshime dhe kërkonte një arbitër të paanshëm mbi kush ka të drejtë: Saliu dhe Iliri që sulmojnë një gjyqtar, apo gjyqtari që ka dhënë një vendim që mund t’ju ketë prishur terezinë.

Kujtoj që ky gjyqtar humbi një nga familjarët e vet, në mos gaboj vëllanë në shpërthim në Gërdec ku Shkëlzen Berisha u bë një personazh filmash në SHBA. Kjo më bën të mendoj se SHBA vërtetë flasin në fund, por kur flasin diçka e thonë saktë dhe më rezulton që e sakta, e drejta dhe e mira është për Reformën në Drejtësi dhe personazhe që sot si gjyqtari Dvorani janë një ndër 12 njerëzit më të vlerësuar në botë, në një botë me disa miliardë persona, pë rata që i kanë rezistuar shkulmit të atyre që nuk duan drejtësi.”– ka deklaruar Veliaj.

Ditën e djeshme pati shumë reagime, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit nxori një njoftim ku zbuloi se do nderojë me çmimin si kampion anti-korrupsioni ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Kujtojmë këtu se Dvorani është paditur nga presidenti Meta, i cili e akuzon atë se ka tentuar të kapë reformën në drejtësi kur ishte në krye të KED-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *