Kompania AstraZeneca po përpiqet që t’ia dorëzojë Bashkimit Evropian vetëm 40 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19, deri në fund të marsit.
Kjo përbën më pak se gjysmën e shumës që premtoi në kontratën e saj për tremujorin e parë të vitit, tha drejtori ekzekutiv i AstraZenecas, Pascal Soriot, të enjten për ligjvënësit evropianë.
Më herët kjo kompani kishte premtuar se do të ofronte rreth 90 milionë doza në tremujorin e parë të këtij viti.
BE-ja e cila është shumë prapa Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe në vaksinimin e qytetarëve, i ka kërkuar vazhdimisht AstraZenecas që të ofrojë më shumë doza të vaksinës.
“Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për t’ia dhënë 40 milionë doza në tremujorin e parë të vitit 2021”, tha drejtori ekzekutiv i AstraZenecas, Pascal Soriot.
Sortiot nuk dha asnjë informacion sa i takon furnizimit me vaksina në tremujorin e dytë të vitit 2021.
Sipas kontratës, deri në këtë fazë të vitit, kompania është e obliguar që të ofrojë rreth 180 milionë doza të vaksinës.