Një ekzekutim me dy plumba pranë qendrës, ka tronditur mëngjesin e sotëm Tiranën.
Viktima është identifikuar si Behar Sofia, i cili dyshohet se u qëllua nga një makinë në lëvizje me armë me silenciator duke qenë se në vendin ku u ekzekutua, pranë Piramidës, nuk janë dëgjuar të shtëna me armë.
Sofia njihej si person me lidhje me bosin turk të heroinës Abdulselam Turgut dhe nga viti 1993 deri në vitet 2012-2015 njihej si bosi kryesor i heroinës turke.
66-vjeçari u gjet u shtrirë përtokë në trotuar e i gjakosur në fytyrë dhe pavarësisht se u dërgua në spital nuk ka arritur dot të mbijetojë.
Emri i tij është shfaqur në ngjarjen e gushtit 2009 në Durrës, ku u vranë katër efektivë policie gjatë një operacioni për të arrestuar Dritan Dajtin.
Sofia është arrestuar në Turqi në vitin 1998, pas një operacioni të policisë së atjeshme mes të cilëve u ndalua edhe Abdulselam Turgut.
Po kështu ndaj bizneseve të Behar Sofias është vënë disa herë eksploziv.
Si ka ndodhur ekzekutimi
66-vjeçari Sofia ka qenë duke ecur pranë Piramidës kur është qëlluar me dy plumba duke u plagosur rëndë. Dyshohet se ai është qëlluar nga një makinë në lëvizje me armë me silenciator.
Ai është gjetur nga kalimtarët i shtrirë përtokë dhe i gjakosur duke ndërruar jetë më pas në spital.
Deri tani policia ka shoqëruar disa persona ndërsa po heton të shkuarën e Sofias për të gjetur lidhjet e mundshme me atentatin e sotëm ndaj tij.
Kamerat e bizneseve përreth janë sekuestruar e do përdoren për të mbledhur të dhëna që mund të çojnë në zbardhjen e krimit të rëndë.