Komiteti i Ekspertëve ka lënë në fuqi masat e vëna dy javë më parë për sa i përket pandemisë Covid-19.
Anëtarët e komitetit theksuan se masat e propozura dy javë më parë kanë dhënë efekt e për këtë arsye do vijojnë të mbeten të pandryshuara.
Këtu bëjnë pjesë kufizimi i lëvizjeve nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit, zhvillimi i mësimit online në gjimnaze në zonat që konsiderohen me rrezik të lartë si dhe mbyllja e lokaleve e restoranteve nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit.
Masat që mbeten në fuqi
- Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
- Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
- Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
- Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet anti COVID.